Keqpërdorimi i pushtetit: Në Pejë për të blerë speca

0

Keqpëdorimi i mjeteve të taksapaguesve është një problem që në Mal të Zi trajtohet shumë pak. Ose më mirë të themi e trajtojnë vetëm mediat.
Kjo sidomos kur flitet për shkelje “të vogla” për të cilat zyrtarët shpresojnë se kalojnë pa u vërejtur.

Portali ynë shpesh ka treguar për shkelje të tilla nga zyrtarë të pushtetit lokal, dhe do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, me shpresë se një ditë ky problem do ti përkasë të kaluarës
Rasti i sotëm, ku gruaja e kryetarit të Rozhajës u filmua në Pejë teksa po blente speca për turshi kurse shoferi zyrtar po i ndihmonte në ngarkim, nuk është rast unik, por banaliteti i ngjarjes flet më tepër për konturën tonë psiko-sociale sesa dëmin real për buxhetin e qytetit.

Ka shumë mundësi që gruaja e kryetarit nuk është aspak e vetëdijshme se ka bërë dicka të pahijshme ndaj atyre që mbushin buxhetin (pothuajse të zbrazët) e këtij qyteti. Përkundrazi, ka shumë gjasa që në kontekstin e rrethanave në të cilat personi në fjalë, dhe të tjerët përreth, janë rritur, zhvilluar dhe arsimuar, keqpërdorimi i mjeteve të taksapaguesve është një privilegj i pranuar haptas.

Kjo nuk vlen vetëm për Rozhajën, por secilin qytet në Mal të Zi. Ndoshta edhe secilin qytet në Ballkan.

Pranimi i fenomeneve të tilla nga opinioni publik ndoshta është edhe arsyeja kryesore e prapambeturisë socio-ekonomike të rajonit. Shto këtu edhe tendencat tona për konflikt the fitohet realiteti i sotëm.

Në vendet e zhvilluara një person i cili vjedh shtetin nga opinioni qytetar quhet ashtu si edhe e meriton, hajdut, dhe procedimi ndaj tij është i njëjtë si për hajdutët ordiner.

Në Ballkan, një zyrtar i cili vjedh shtetin quhet “i gjetur”, dhe qytetarët ndaj tij shprehin indinjatë vetëm në kafene, kurse privatisht e kanë inat faktin që nuk mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe vetë. Kjo vlen për një pjesë të mirë të popullit,  edhe pse fatmirsisht jo për të gjithë.

Ne shpesh dëgjojmë akuza të merituara (ndonjëherë edhe jo) ndaj zyrtarëve, politikanëve dhe përfaqësuesve tanë nëpër institucione, duke harruar se ato kanë dalë nga populli dhe janë produkt i tij. Nëse për 25 vite ne si popull nuk kemi arritur të nxjerrim në skenë politikan më të mirë se ato që shpërdorojnë 20 euro për të mbushur benzin në kurriz të tij, atëherë këtu dicka nuk është në rregull as me popullin.

Një fjalë e urtë romake thotë “Qualis rex, talis grex” , “Si mbreti, ashtu grigja (populli)”.