Kaskada e Drinit: Për momentin nuk ka rrezik për Malin e Zi

0

Korporata Ekektroenergjetike Shqiptare ka publikuar të dhënat e fundit mbi nivelin e ujit në tre hidrocentralet që formojnë kaskadën e Drinit.

Sipas të dhënave, në liqenin e Fierzës niveli i ujit është 291,22 metra nga 296 që eshtë kuota maksimale e lejuar, dhe prurjet janë 750m3/s kurse shkarkimet 1063m3/s.

Na atë të Komanit lartësia e ujit është 170,02 metra nga 175m që është maksimumi, dhe prurjet janë 1381m3/s kurse shkarkimet 1386m3/s.

Në hidrocentralin e Vaut të Dejës lartësia e ujit është 74,11 metra nga 76 maksimumi, dhe prurjet janë 1583m3/s kurse shkarkimet 900m3/s.

“Jemi në kushte të kontrollit të plotë të regjimit të digës në të tre HEC –et. Pra jemi brenda normave. Temperaturat janë ulur dhe do vazhdojnë të mbeten të tilla, kështu që nuk do të kemi reshje shiu akoma në zonën e ujëmbledhësit të lumit Drin, çfarë do të shkaktonte shkrirjen e dëborës”, ka thënë për mediat zv.ministri energjetikës Ilir Bejtja.

Sasia e shkarkimit të ujit nga kaskada e Drinit ka rëndësi edhe për Malin e Zi, pasi ndikon në prurjet e lumit Buna, nivelin e ujit të liqenit të Shkodrës, dhe mund të shkaktojë përmbytje si ato të vitit 2012.