Jahjaga anulon vizitën në Beograd

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk do të vizitojë Beogradin, ku ishte e ftuar nga Komisioni Trelateral i Komisionit Evropian, në konferencën që do të mbahet nga 31 tetori deri më 2 nëntor.

Sipas mediave në Kosovë, janë dy arsye që kanë shtyrë presidenten Jahjaga të anulojë pjesëmarrja e saj në Beograd. E para është se presidenti serb Tomislav Nikoliç nuk ka qenë i gatshëm që pas zhvillimeve, si shkas i ndeshjes Serbi-Shqipëri, të pranojë që të ulet në një tavolinë ku është flamuri i Kosovës dhe ku Jahjaga është e thirrur si presidente e Kosovës. Për këtë shkas Nikolic anuloi pjesëmarrjen në ceremoninë me rastin e 100-vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore, që mbahet të martën në Belgjikë.

“Arsye tjetër është se Jahjaga tashmë ka bërë të qartë me analizimin e dy vizitave tjera se dëshiron të jetë në Kosovë për të zgjidhur ngërçin politik që po zgjat tash e gjashtë muaj”, ka thënë një burim i Reporterit.net. “Ajo ka shprehur shqetësimet e saja të thella për pasojat që ka kjo krizë politike për vendin dhe dëshiron të bëjë me dije edhe përmes këtyre simbolikave të anulimit të vizitave, për pasojat që po i shkaktohen Kosovës – si në aspektin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm”.

Nga Presidenca e Kosovës ende nuk ka asnjë deklarim zyrtar për vizitën e Jahjagës në Beograd.