Ismail Morina: Pse dhe si e hodha dronin mbi stadiumin e Beogradit

0

Më 14 tetor një flamur fluturoi mbi stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ai flamur ishte një histori guximi dhe krenarie që tërhoqi vëmendjen e të gjithë opinionit sportiv botëror, po aq sa dhuna që u ushtrua mbi lojtarët e kombëtares shqiptare të futbollit.

Në një rrëfim eksluziv për Digitalb dhe gazetarin Dritan Shakohoxha, Ismail Morina rrëfeu se si lindi ideja, peripecitë, të papriturat dhe rrezikun për jetën për të ngritur një dron mbi stadiumin e Beogradit. Sakrifica e një njeriu rezultoi krenaria e miliona të tjerëve. Në tregimin e tij, Ismaili tregoi se ai flamur i ngritur në një ndeshje futbolli lindi realisht pas një ndeshje futbolli.

Intervista e plotë e Ismail Morinës

Kjo është shtëpia e morinajve në Shikaj të Kukësit. Djali i vogël quhet Ismail, ai që krijoi dhe valëviti flamurin në Beograd, këtu është kthyer, sepse ky është vendi më i sigurt…

Jam lindur e rritur këtu për 17 vjet, pastaj emigracion, si të gjithë shqiptarët. Kjo është edhe heroina e Beogradit, makina, kam bërë 1 mijë e ca kilometra nga Milano në Beograd.

Flamuri kuqezi, makina gjithashtu, ishte plan edhe ky?

Makina e kuqe ishte rastësi. Kur ndodhin shërbime ndaj kombit, këto ngjyra na preferojnë.

Ismail Morina, e dinë të gjithë emrin tuaj, por duhet ta tregojmë këtë histori. Kur filloi ideja për të bërë këtë gjë që i emocionoi të gjithë shqiptarët?

Ideja fillon nga viti 2010, konkretisht nga ndeshja Itali-Serbi, i dimë të gjithë incidentet që ndodhën aty. Ishte një nga këto incidente që më revoltoi (djegia e flamurit nga Bogdanov), gjest që nuk e kam kapërdirë, kurrë, shumica e mendojnë si unë. Nuk ishte atëherë droni, po ishte ideja për hakmarrje, duhej bërë diçka. Në vijim, në 2014-n, më 23 shkurt, shorti, diçka që më habiti, nuk e parashikoja, ndodhi. Menjëherë pas shortit kisha një ndeshje futbolli me miqtë shqiptarë dhe italianë dhe ishim në dhomat e zhveshjes. Po bisedonim, po më ngacmonin italianët, ra shorti me Serbinë, çfarë do bëni, etj. Në një moment, një nga shokët italianë më thotë me humor – pse ju nuk përdorni helikopterë dhe të vini një mesazh denigrues, hakmarrës, gjatë ndeshjes.

Propozimi ju erdhi nga një mik italian?

Po, ishte rastësi, shkëndijë në tru.

Ju jetoni në Itali nga…

Që nga viti 2004.

Çfarë bëni?

Punoj vinçier. Kam qenë i integruar në shoqëri atje, jam i martuar, kam dy fëmijë, një vajzë e një djalë. Deri para asaj ndeshjeje mund të thosha që jeta ime ishte shumë normale.

Shorti ishte, shkëndija ishte. Filluat të mësonit diçka që nuk e dinit, dronin…

Dronin e kisha dëgjuar në kronika lajmesh, në Afganistan, Irak, survejime ushtarake.

Në stadiume, nëpër tifozët…

Jo, jo, dron ushtarak, po jo si ky. Fillova të hulumtoj në uebsite, pika shitjesh që ishin aty, të merrja kontakte.

Bletë dronin, pastaj mësuat ta drejtonit…

Ishte e vështirë, në mëngjes ikja në punë, kur kthehesha nuk shkoja në shtëpi, shkoja te një mik italian që kishte toka, të ushtrohesha. Ka vazhduar një muaj, një muaj e gjysmë.

Bashkë me shokët?

Po. Dikush mbante dronin, dikush bënte filmimet.

Edhe shqiptarë?

Po, shokë të emigrimit, që hanim në të njëjtën pjatë, dhe grupimi “Tifozat Kuq e Zi” ku bëj pjesë.

U vendos që do valëvitej, po çfarë?

Ka dy versione të flamurit. Është një me flamur dhe shqiponjë si ai që kemi tani, si dhe ai me shqiponjën e Skënderbeut që fluturoi në Beograd. Ideja ishte që në fushë të vihej një flamur me përmasa shumë të mëdha, e bëra me ndihmën e “TKZ” në Tiranë, rreth 3.5 metra me 4, të ngrihej me dy drona, të përdoreshin tullumbace me helium. Por kur e provova, problem nuk ishte pesha, por sinkronizimi mes dy dronëve. Bëmë disa prova. Pastaj u mendua reduktimi, 1.20 me 1.70 ishin përmasat origjinale të atij që fluturoi. Aty u realizua me vetëm një dron, në 3 javët e fundit ishte ky version përfundimtar. Aty bëra shumë stërvitje, ku ka pasur erë, shi, pavarësisht se kisha parë në internet edhe kohën dhe e dija se si do të ishte në tetor. Doja të sigurohesha. Një flamur i cili do të ishte plot me vlera kombëtare, që nuk do të përmbante në mënyra absolute ofendim ndaj kombit serb. Dy figura kombëtare të pavarësisë nuk duhej të mungonin sepse është historia ashtu, një fjali që duhej të vriste shumë. Fillimisht nuk e mendova autochthonous, ishte version italian, “Da sempre e per sempre padrone nei Balcani” (Që ngaherë, përgjithmonë, padron i Ballkanit). Duke qenë anglishtja gjuhë ndërkombëtare, italishtja nuk më bindte. Në Google kërkoja përkthimin e fjalës autokton në shqip, më dilnin tre versione, autochthonous më bindi si fjalë, dhe m’u duk elegante, doja një gjest elegant. Pastaj harta e Shqipërisë etnike, pastaj shqiponja e Skënderbeut. Varianti i parë ishte me shqiponjën normale që kemi në flamur. Por meqë doja të promovoja vlerat shqiptare, nuk mund të mungonte shqiponja e Skënderbeut. M’u sugjerua nga patrioti nga Shkupi që erdhi atë natë me mua.

Kush e bëri në kompjuter se kjo nuk bëhet vetëm…

Ishte djali i vëllait, i cili është shumë i dhënë pas informatikës. E kemi bërë me korrespondencë me Skype, Ismail Qemali këtu, Isa Boletini këtu. Problemi ishte me shkrimin autochthonous se ishte shumë i gjatë. Puna shkoi tre ditë.

Po në punë shkonit?

Shkoja në punë. Zakonisht provat i bënim nga ora 6:00-7:00 e mbrëmjes deri në orën 11:00. Sapo u bë, e publikova në “Facebook”, më 13 gusht me një mbishkrim “Vallë a do hyjë kjo në histori”. Njerëzit nuk i dhanë rëndësi, njerëzit nuk dinin se çfarë do të ndodhte mbrapa. Kjo ishte historia e flamurit.

Çfarë ju lidh me Ismail Qemalin?

Ismail Qemali është histori, Ismaili ngriti flamurin erdhi edhe Isa në mbështetje të asaj fryme që mbizotëronte atëherë. Unë kam një simpati të veçantë për të, përveçse patriot. Kam histori personale me plakun tim, kur vinte nga puna më thoshte, “Ismail Qemali burrë dai/me pushkë në dorë në Vlorë ka hi”, më pyeste: A je ti ai? I përgjigjesha – unë jam. Me kalimin e kohës, mësova historinë, lexova libra dhe kuptova që nuk isha unë. Plaku ma bënte prapë atë pyetje, por atëherë i thashë që nuk kam qenë unë. Kjo ishte simpatia për Plakun e Urtë të Vlorës.

Duhet të dinit edhe vendin që të mos gabonit asgjë…

Ishte data 26 korrik, kisha një gëzim familjar dhe shfrytëzova rastin që të vija në Shqipëri duke kaluar në Beograd. Isha i bindur që ndeshja do të bëhej në stadiumin e “Yllit të Kuq”, pasi në bazë të informacioneve që kisha, Serbia i kishte bërë aty ndeshjet.

Atëherë shkuat?

Po, shkova, bëra xhirimet, më 27 në mëngjes, ditë me shumë shi, bëra xhirimet rreth stadiumit, edhe fotografi. Shkova edhe te stadiumi i Partizanit të Beogradit po thjesht si turist, pa interes. Shkova në Itali, atje një mik nga Mali i Zi, më dërgoi një link që ishte zyrtare se Serbia do të luante te stadiumi i Partizanit të Beogradit ndeshjet e vitit 2014. Pata rënie morali, se isha fokusuar krejtësisht atje. Kisha krijuar idetë e mia se ku do të vendosesha atje. Stadiumin e Partizanit nuk e njihja, ndaj kam përdorur Google Maps dhe ishin 3-4 pika nga ku mund të veproja. E para ishte kisha, pastaj Akademia Ushtarake, të cilën mendoja se ishte selia e Partizanit të Beogradit. Ajo që më bindi më shumë ishte kisha, pasi ajo është objekt kulti fetar i cili nuk kontrollohet shumë, nuk ka vëmendje. Kuptohet që nuk kisha shkuar për ta dhunuar. Mendova se ishte pika më e volitshme për ta bërë këtë gjë, meqë afërsia me stadiumin ishte rreth 50-70 metra në vijë ajrore.

Ajo që pyesin të gjithë është që një vinçier, me një kredi, me dy fëmijë për të rritur e ka të vështirë që të bëjë gjithçka vetëm, duhen para se dronët kushtojnë…

E gjithë kostoja financiare e operacionit ishte 5-7 mijë euro në total. Po kishte edhe kosto morale, pasi i mungoja familjes e vazhdoj t’i mungoj ende për arsye që dihen. Momenti më i vështirë i gjithë kësaj ishte natën kur u nisa, kur unë u përshëndeta me fëmijët e mi në gjumë. Ishte ora 10:30 e darkës, data 10 tetor.

Ishte momenti kur e dinit se edhe mund të mos niseshit…

Gjatë kësaj historie nuk kam pasur fare hezitim, e dija se çfarë doja të bëja, bukurinë e asaj që doja të bëja. Por në momentin kur kam puthur dy fëmijët në gjumë, ishte momenti i hezitimit, pasi e dija se po shkoja drejt një gjëje të rrezikshme, kjo më ka prekur shumë emocionalisht dhe më prek ende.

Ju erdhi për të qarë…

Kuptohet, nëse jo, do të isha njeri pa ndjenja.

Vendosët të niseshit por nuk e bënit dot vetëm, ju duhej një bashkëpunëtor…

Po, një nga “Tifozat Kuq e Zi”, Marin Rexha, shumë patriot në Tiranë, ai ishte ndërlidhësi, pasi më njihte mua dhe djalin nga Shkupi. I shkroi në “Facebook”, i tha që kishte nevojë për një person dhe i tregoi muhabetin. Kemi komunikuar në “Facebook”, gradualisht erdhëm duke u njohur derisa mbërriti momenti, që ai më shprehu planin e tij, që ishte pak më i rrezikshëm. I tregova timin, e pëlqeu dhe e përkrahu. Ishte 12 shtatori kur filloi biseda me të, deri më 13 tetor në darkë që u pamë për herë të parë në Beograd.

I kuptoni ata që nuk ju mbështetën financiarisht në ato momente. Por moralisht, ju kanë përkrahur?

Po, moralisht më kanë përkrahur. Nuk mohohet që 3-4 shokë dhe pjesëtarë të TKZ që më kanë ndihmuar financiarisht. Të gjitha i bëra gati, por nuk kisha paratë e rrugës, them këtu as t’i hidhja benzinë makinës për të ecur. Kam bërë një udhëtim prej 12 orësh dhe kam hyrë në kufijtë tokësorë Kroaci-Serbi. Më pyetën policët pse kalon këndej? I thashë që kam kaluar edhe në gusht, është më e mirë, jam transit.

Çfarë thanë policët kur panë tre dronë?

Batuta e policit në kufi ishte se po shihte shifrën në faturë, se dronat kushtonin 3 mijë euro të tre. Më tha “ti ke një makinë kaq të dobët dhe ke blerë 3 mijë euro drona”. I thashë i kam blerë për fëmijët e vëllait, nuk bëj shpesh dhurata, po kur i bëj, i bëj të mira. Më bëri pyetje provokuese. Më tha që këto i përdorin për ndeshje futbolli. Për ta anashkaluar i thashë mos i ngatërron me ato ‘spider-cam’. I thashë që ky nuk mban bateri as 5 minuta, nuk përdoret për ndeshje futbolli. Shkova në Beograd në 5:00 të pasdites, më datë 11, luhej ndeshja në Elbasan me Danimarkën. Kam parë ndeshjen me telefon atë natë dhe pas ndeshjes, nga ora 11:00 deri në 4:00-5:00 të mëngjesit jam futur vazhdimisht këto tre net te kisha dhe Akademia Ushtarake. Mendoja të gjeja pikën ideale për të ngritur dronin me flamur.

Jeni në Beograd, gati për aksionin dhe vjen ai të cilit nuk ia themi emrin…

Mund t’i themi nofkën që përdor, “Molos”. E kam takuar rreth orës 20:00, datë 13 tetor, pikërisht te makina te parkingu. Kontaktonim me mesazhe, atij i mbaruan paratë në kartën maqedonase dhe nuk kontaktonim. Por ai më njihte nga fotot në “Facebook” dhe më futet në makinë. I kërkoj emrin, ma thotë, ia them. I drejtohemi hotelit, kemi bërë disa prova të vogla çfarë do të bënte. Një orë para nisjes, nxorëm flamurin nga kraharori i xhupit, bëmë atë videon e famshme që të gjithë e dinë. Detyra e tij ishte të priste flamurin pas valëvitjes, flamuri do të dilte jashtë. Dy pikat ishin tarraca e Akademisë Ushtarake dhe kryqi i kishës. Natën e parë provova të ngjitem tek Akademia, nëpërmjet dritareve që ishin hapur. Mbërrita në katin e pestë dhe dritarja ishte mbyllur. U detyrova të kthehesha, por lashë dronin nën disa llamarina, bashkë me tubat elektrikë që do të mbanin flamurin dhe nga ora 5:00 e mëngjesit u ktheva në hotel.

Ju kujtonit se po shkonit te zyrat e Partizanit të Beogradit?

Gjithmonë e kam menduar se ishte një moment kur u futa brenda, gjeta korrëse bari. Isha i bindur që ishte selia e Partizanit të Beogradit.

Ishit bashkë me djalin nga Shkupi dhe fjetët atë natë?

Nuk kemi fjetur fare, kemi biseduar. Unë nuk kam fjetur 48 orë. Duhet të hyja në kishë që në mëngjes se nga ora 12:00 do të vinin forcat policore, ishte e pamundur të bëhej një gjë e tillë.

Po djali nga Shkupi, çfarë do të bënte?

Afër stadiumit, 500 metra në vijë ajrore, kalon një hekurudhë. Aty ishte pika e volitshme për të pritur flamurin, në momentin që do të merrte flamurin, do të bashkoheshim te makina para hotelit.

Pse e donit flamurin me vete?

Idenë që flamuri të mbeste aty, e shihja si dështim. Ishte e rëndësishme që flamuri të dilte jashtë, të mos ngelej brenda. Nuk doja të krijoja probleme siç u krijuan. Unë e kam parë si dështim…

Atë natë u ndatë, me cilin premtim?

Që çdo gjë të shkojë mirë, që diçka po bëhet për Shqipërinë dhe u mora pas asaj video, flamurin e kam mbajtur në kraharor. Kam ecur deri afër stadiumit, aty kapërceva hekurat e akademisë. Meqë kishte stjuardë që ruanin stadiumin, u futa barkas, është një livadh aty dhe u vura në një pozicion mes pishës dhe gardhit të kishës, u fsheha.

Janë 17 orë në të njëjtin vend Ismail, si mund të qëndrosh 17 orë në një vend?

Gjatë këtij 17-orëshi kam menduar gjëra nga më të ndryshmet. Si familja, reagimi pas ngjarjes dhe kjo më ka bërë të kaloj kohën. Deri në atë momente ishte një ëndërr e një tifozi të kombëtares.

Por kur u mbush vendi me ushtarë. A menduat se vihej edhe jeta në rrezik?

Të betohem, frikë jo. Frikë jo, sepse po të kisha pasur, do të kisha dalë. Por thjesht mendoja se gjesti ka qenë shumë i bukur, elegant, pa ndonjë dhunim. E dija që po bëja diçka të bukur dhe e përsëris, ishte shërbim ndaj kombit. Frika nuk kishte vend tek unë.

Atëherë filloi të errësohet, erdhën tifozët. Vendi u mbush me policë. Rënia e mbrëmjes solli ardhjen e tifozëve…

Po, rreth orës 19.10 sinjali i parë që më bëri të ngrihem, të dal, ishte ardhja e dy autobusëve të kombëtareve, serbe dhe e jona. Fillova të dal, kisha flamurin dhe spangot me vete, kurse dronin me telekomandë në çantë dhe tubi ishin më larg. Kur po shkoja, ishte një episod. Po kalonte një i dehur që po bërtiste shumë pranë meje, nuk më pa. Aty humba rreth 30 minuta kohë se po vrojtoja. Ideja ishte ta hidhja gjatë himneve, jo gjatë ndeshjes. Kjo ishte koha që humba, shihja orën dhe e dija që në 21:32 maksimumi mbaronte pjesa e parë. Menjëherë hyra në aksion, përgatita dronin. Është një tarracë ngjitur me akademinë, aty është montuar droni. Ishin zyra të hapura, mund të më shikonin. Kisha vështirësi me spangot që të mos ngatërroheshin. Ndeza dronin. Ka një zhurmë shumë të fortë, ishte frika se mos dëgjohej. Por pa hezituar e ndeza, mora telekomandën, e mbaja në gojë. kapërceva, u ngjita në shkallë dhe dola në krahun e kishës. U ngjita në mur nëpërmjet tubit të kullimit. Pak me vështirësi, po kur je vinçier, i ke gjëra të ditës. U ndala te harqet e kishës, pa mbërritur të kupola. Ajo që më interesonte ishte të lija dronin, se kisha frikë se mos e shihnin nga dritat. Më kishte kapur paniku, meqë ishte fundi i pjesës së parë dhe nuk kisha kohë. E ngrita, nuk e futa direkt në stadium, se mendoja se mund të më lokalizonin, i bëra një xhiro në lagje. E kalova nga ana tjetër e stadiumit dhe e futa nga aty. Fillova të ndjeja emocionet e para, drithërimat. Nuk shihja mjaftueshëm dhe më duhej të ngjitesha më lart. E bëra duke mbajtur telekomandën në dhëmbë. Fillova ta valëvis, e nisa katër herë nga tribuna VIP, se e dija se ishin personalitete të larta serbe. Më kapën emocionet e mëdha. Ngatërrova ngjyrat e fanellave, ngjyra e kuqe, ngjyrat e zemrës më tradhtuan dhe ajo ndodhi mua.

Nuk dallohej?

Dukej qartë, problemi është se nuk e ke perceptimin nga terreni nga ku po sheh. Ajo më ndodhi. Ngjyra e fanellave bëri të vetën, duke menduar se janë tanët me të kuqe. Ishte momenti kur djaloshi po më priste për flamurin, ishte një black out. Mendova ok, po ua lëshoj djemve flamurin në dorë, t’i frymëzoj. Nuk kisha asnjëherë qëllim që të bllokoja ndeshjen, apo të shkonte ashtu. Arsyetoja sikur kombëtarja të fitonte pas këtij gjesti do të ishte qershia. Ndodhi ajo që ndodhi.

Flamuri u ul, ju menduat se ua dorëzuat lojtarëve shqiptarë. Ju çfarë po bënit?

Në atë moment kam kuptuar që gabova skuadër, kur u vërsulën dy fanellat e bardha, Xhaka e Lila, aty e kuptova. Kam tentuar dy herë që t’i jepja goditje t’ia hiqja nga duart, por lojtari serb po e ulte. Aty mendova që misioni dështoi, flamuri nuk duhej të binte në duar të tyre. Thashë misioni mbaroi, misioni duhej të shpëtoja veten, të dilja jashtë.

Ishin disa të tjerë që e çuan në fund misionin…

E mora vesh më vonë, që ditët e para u kam kërkuar falje djemve të kombëtares, por jam superkrenar me veprimin e tyre. Mendoja se veprimi i tyre ka perfeksionuar më shumë idenë time. Ka qenë diçka shumë e bukur. Flamuri u mor, shkoi tek i zoti. Ata nuk patën shans ta mbanin, por unë e mora vesh mbrapa.

Pastaj filloi misioni për të shpëtuar jetën…

Kam lënë telekomandën aty, kam rrëshqitur nga tubi dhe jam vrarë në dorë. Në momentin kur zbrita në tokë, nga zyrat më shan dikush në serbisht. Dola nga prapa kishës, kalova këtë perimetër, kam kapërcyer një gardh të strukturës. Aty lajmërova djalin nga Shkupi me idenë që ka dështuar gjithçka. Jam ndeshur dy herë me policin në momentin kur po largohesha në rrugica, kur shkoja drejt makinës. Fati ishte që ndërruan rrugë. Kam ecur buzë autostradës dhe jam kthyer te makina ku më priste miku im. Jemi nisur direkt në makinë, u futëm në autostradë. Pastaj direkt për në jug, drejt Kosovës. Ideja ishte për t’u larguar nga Hungaria, por e njihja doganën nga udhëtimi në gusht. Më mori një shok nga Italia, më përgëzoi. Por unë i thashë dështova se ata morën flamurin. Ai më tregoi se flamurin e kanë marrë djemtë e kombëtares. Kam ndier aty një emocion sa i bija me grusht timonit dhe bërtisja.

Miku ju tha përgëzime. Në një familje, në një fshat pak të njohur në Kukës, dy fëmijë hidhen nga gëzimi, dy nipat…

Po, ata e dinin. Më tregonin që mendonin që do ndodhte. Por meqë në minutat e fundit Shqipëria po luante mirë, ata u përfshinë nga ndeshja. Në momentin e dronit, u hodhën dhe e kuptuan. Prindërit e mi e dinin vetëm që isha në Beograd për të parë ndeshjen, nga thirrjet e tyre, nëna e kuptoi se isha unë, filloi ankthi për të, pse nuk më treguat, të qara, etj., derisa jam futur në Kosovë dhe i kam bërë telefonatën shtëpisë dhe gruas në Itali.

Që ishit gjallë…

Po, gruaja më thoshte çfarë lidhje ka me ty, e ka bërë vëllai i kryeministrit. I thashë e kam bërë unë. I shpjegoja që dronat që përdorja përditë ishin për këtë punë. Jo më tha, është vëllai i kryeministrit, i thashë harroje, janë propaganda të fëlliqura të tyre. Mbërrita në shtëpi dhe më doli para plaka me gjysmë zëri.

Rrugës në makinë dëgjonit radion?

Sa u futa në autostradë, hapëm radion. Nuk dija serbisht, djali ma përkthente. Ato që dëgjuam ishin se Kombëtarja ishte në dhomat e zhveshjes, ka probleme me rendin në stadium, shpalosja e Shqipërisë me helikopter dhe vetëm kaq. Pastaj nuk u morën me radion, vazhduam udhëtimin, lamë autostradën, mbërritëm në kufi. Ideja ishte që me dyshimin më të vogël nga pala serbe, do të thyeja kufirin. U afrova, i dhamë dokumentet. I foli ai nga Shkupi, por polici më drejtohej mua, pasi unë kisha qëndruar 4 net. Më tha po ti ku ke qëndruar. I thashë kam disa shokë në Preshevë. Çfarë keni, rroba. Kaluam në krahun tjetër, te policët tanë, kontroll normal. I pyeta si shkoi ndeshja. M’u përgjigj është bërë nami, kanë rënë Isa Boletini dhe Ismail Qemali në Beograd. Aty lajmërova familjen. Kam bërë video të shkurtër dhe diku nga ora 5:00 e mëngjesit mbërrita në Prishtinë.
 

/Top Channel/