Isa Boletini do të varroset në Vlorë

0

Isa Boletini do të prehet në Vlorë. Ky lajm është përcjellë sot nga kryeministri Rama, teksa ka bërë me dije se ceremonia do të mbahet në datën 10 qershor, në qytetin bregdetar. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim në zyrën e tij me familjarë të heroit tonë kombëtar, IsaBoletini.

Rama përpos faktit që ka falenderuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjarët e heroit, ka bërë të ditur detajet e ceremonisë së varrimit të eshtrave të tij.

“Data e caktuar për ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit tonë, mbetet 10 qershori. Rrugëtimi i eshtrave do të kryhet përmes gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ceremonia do të përmbyllet në Sheshin e Pavarësisë në Vlorë dhe Isa Boletini do të prehet pranë mikut dhe vëllait të tij, Ismail Qemali”, ka thënë Rama. Ndërkaq, ministri i Jashtëm kosovar, Thaçi, e ka cilësuar 10 qershorin një ditë të veçantë për shqiptarët.

 

/albeu.com/