Isa Alibali (1940-2018). Personalitet i dalluar i kulturës shkodrane

0

In memoriam
Isa Alibali(1940-2018)
PERSONALITET I DALLUAR I KULTURËS SHKODRANE

Ndonëse Isa Alibali me profesion ishte pedagog, përkatësisht profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, për nga vokacioni ishte personalitet i kulturës, që është dëshmuar si drejtues, inspektor dhe organizator i veprimtarive të ndryshme kulturore, të institucioneve në qytetin e Shkodrës..Me një fjalë kemi të bëjmë me një personalitet shumëplanesh që është veçuar edhe me veprimtarinë botuese, vepra këto që janë vlerësuar na opinion i gjerë kulturor..

Dr.Nail Draga

Isa Alibali ka lindur në Shkodër më 26 janar 1940, ndërsa vdiq më 19 shtator 2018, në moshën 78 vjeçare. Në Shkodër ka kryer shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa ka diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960, në USHT.Fillimisht ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit, pastaj, ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.
Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i Teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore(1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i Shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”, në Shkodër. Me plot pasion një kohë ka drejtuar Shtëpinë Botuese „Idromeno“ në Shkodër si dhe ka qenë për shumë vite sekretar i shoqatës“Dashamirët e këngës shkodrane“.
Për veprimtarinë e tij është dekoruar nga Bashkia e Shkodrës me “Mirënjohja e qytetit” dhe Komuna e Gjakovës “Mirënjohja e Gjakovës”.
Isa Alibali ishte personalitet shumëplanesh që dëshmohet edhe nga veprimtaria botuese:
“Në Shkodër të gjithë këndojnë, hyrje në tempullin e këngës shkodrane”(1997, ribotuar me 2011),
“Mirënjohje:ngjarje nga jeta e artistëve tanë”(2002),
“Prenkë Jakova:jeta dhe veprimtaria muzikore”(2005),
“Me Tano Banushin dhe humorin e tij”(2007),
„Si e njoha Mirditën,kujtime“(2011),
“Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën),(2012),
„Përtej mjegullës ka dritë”, roman (2015)
„Ne, pedagogjikasit e 56-ës“, (2016),
„Muharrem Nurja-meteori i humorit shkodran“(2017),
„Bejtet shkodrane“(2018).
Ndërsa në takimin e fundit që kam pasur me të në Shkodër para tre muajve me informoj se ka në dorëshkrim edhe disa vepra të tjera të cilat presin që të botohen së shpejti.
Nëse analizojmë opusin e tij krijues del se ai i ka ndënjur besnik Shkodrës, duke prezantuar Shkodrën dhe shkodranët si rrallë kush deri më tash, andaj me të drejt meriton epitetin personalitet i kulturës shkodrane.
Nga e tërë veprimtaria e tij botuese pa hezitim them se libri “Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën) botuar me rastin e vitit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, është nder librat që dallohet për nga përmbajtja dhe materiali i prezantuar. Është i veçantë pikërisht nga tematika e trajtuar, sepse si askush deri me sot ai ka shpalosur marrëdhëniet e ngushta ne mes Shkodrës e Kosovës në shumë fusha si në histori, arsim, kulturë dhe arte dhe ndikimet e tyre të ndërsjellta. Në liber shprehen ndjenjat e dashurisë për këto dy mjedise shqiptare, duke prezantuar kujtime, veprimtari, portrete, përshtypje, takime, reportazhe, apo udhtime turistike e ngjarje të përjetuara, larg e afër Kosovës, duke qenë liber unikat për kohën tonë. Si i tillë ky libër do të përdoret si referencë për hulumtime të ndryshme kulturore në mes Shkodrës dhe Kosovës për një periudhë të caktuar kohore.
Autori i këtij shkrimi përkujtimor ruan kujtime të pashlyera nga takimi me Isa Alibalin në Prishtinë, nga muaji qershor i vitit 1980, kur në Kosovë ishte për vizitë Teatri “Migjeni“ i qytetit të Shkodrës.Kjo trup teatrore ka shfaqur dramen „Baca i Gjetajve“ më autor Fadil Kraja dhe regjisor Serafin Fanko, në disa qytete të Kosovës dhe në Preshevë, me sukses të jashtëzakonshëm.Dhe nuk kishte mundësi të ishte ndryshe sepse në rolet kryesore ishin Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Lec Bushati, Vitore Nino etj.Ishte kjo koha e shkelqimit të tij teatri duke qenë teatri numër një në nivel kombëtar, ku meritë ka pasur edhe drejtori i tij Isa Alibali.Takimi me te dhe me përfaqësues të tjetër të teatrit me ne studentët nga Ulqini, ishte diçka e veçantë dhe ngjarje emocionale, sepse ishte rasti i parë që jemi takuar me këta artista që i kemi njohur vetëm përmes ekranit të televizionit.
Ndërsa më pas jemi takuar në Shkodër në vitin 1992, në takime të rastit, tubime shkencore, koncerte apo përurime librash, duke pasur konsideratën e vazhdueshme intelektuale dhe krijuese. Ai interesohej edhe për veprimtaritë kulturore në Ulqin, duke mbetur përgjithmonë një intelektual artist shumëplanesh. Si i tillë ai kishte miq jo vetëm në Shkodër e Shqipëri por edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, pra kudo ku ishin shqiptarët sepse ai kulturën e konceptonte të pandarë në dimensionin mbarëkombëtar.
Me vdekjen e tij familja humbi njëriun e dashur ndërsa Shkodra humbi intelektualin dhe personalitetin e dalluar të kulturës, që u dëshmua në ditën e varrimit me 20 shtator me rastin e homazheve në Teatrin „Migjeni“ nga pjesëmarrja e madhe e qytetarëve, intelektualeve, artisteve dhe miqëve të shumtë, duke dëshmuar konsideratën e lartë për veprimtarinë e tij arsimore, kulturore dhe shoqërore.