Intelektualët e rinj hartojnë Programin Qeverisës për Komunën e Ulqinit

0

Riorganizimi dhe rivitalizimi i Partisë më të madhe të shqiptarëve në Malin e Zi, Forca e Re Demokratike, ka qënë nisma më e fundit e kësaj Partie për të afruar intelektualët e rinj në hartimin e vizionit qeverisës për qytetin e Ulqinit. Në këtë kuadër, sipas postimit me të fundit në faqen zyrtare të kryetarit të Komunës, z. Nazif Cungu, ditën e diel është prezantuar në ambientet e Forcës, grupi i ri i punës që do të hartojë programin e ri politik për qeverisjen e Komunës së Ulqinit për katër vitet e ardhshme.

Sipas burimeve tona brenda këtij takimi, jemi informuar se grupi i punës në përbërje të të cilit bëjnë pjesë një grup të rinjsh e të rejash, një pjesë e të cilëve janë shkolluar në universitetet më të mira në botës, vijnë për t’iu bashkuar Forcës pas një bilanci të madh suksesesh në fusha të ndryshme profesionale brenda dhe jashtë vendit, siç janë ekonomia, arsimi, turizmi, bujqësia, drejtësia, sporti e kultura. Këta ekspert të rinj, janë ftuar për të shpalosur vizionin e tyre për një alternativë patriotike më të mirë për qytetarët e vendit, përmes hartimit të programit të kësaj Partie për qeverisje transparente, efiçente dhe afatgjate.

Ka qënë vet interesimi dhe vizioni i drejtuesve më të lartë të Forcës për ti dhënë mundësi dhe hapësirë mendimit të ri, duke ofruar impulse të reja dhe një qasje më aktive për një qeverisje më të mirë. Mesa duket ky është një hap domethënës në rrugëtimin e kësaj Partie drejt kalimit gradual të pushtetit në duart e gjeneratave të reja.