Haxhibeti: Intervenimi në Bunë ka dhënë rezultatet e dëshiruara

0

Pas kritikave për punën e bërë në grykën e Bunës nga pronari i ndërmarrjes “Gjurisha” Milan Gjurishiq, Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Fuad Haxhibeti, ka deklaruar se masat e marra për përmirësimin e gjendjes në grykën e Bunës kanë dhënë rezultatet e pritura dhe se rrjedha e lumit është shumë më e mirë.

Ai ka shtuar se në projekt janë angazhuar njerëz profesionistë dhe se gjithçka është bërë në koordinim me Drejtorinë e Ujërave, të cilët i janë përgjigjur kërkesës tonë për intervenim urgjent. Haxhibeti gjithashtu ka thënë se punimet në fjalë janë bërë për të parandaluar mbylljen e plotë të grykës dhe se punimet për zgjidhjen afatgjate të këtij problemi do të fillojnë vitin e ardhshëm, kur edhe do të hapet tenderi për mirëmbajtjen disavjeçare të grykës së Bunës.