Hahn: Liberalizimi i vizave varet nga demarkacioni

0

Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka thënë të shtunën se më vonë gjatë këtij viti, Parlamenti Evropian dhe anëtarët e BE-së do të marrin vendim për liberalizimin e vizave për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Duke folur për liberalizimin e vizave për Kosovën, Hahn nuk kishte shumë besim se kjo gjë mund të ndodhë, duke thënë se “koha është e paqartë” e duke shtuar se lëvizja e lirë varet nga gjetja e zgjidhjes lidhur me demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, për takimin e ministrave të jashtëm në Bratislav, Hahn tha se për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, ka pasur indikacione tek shumica e anëtarëve që “se të dyja shtetet duhet ta marrin liberalizimin e vizave”.
Edhe Parlamenti Evropian, por edhe Këshilli, duhet të japin dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave dhe një burim i ka thënë REL-it se kjo ka gjasa të ndodhë në muajin tetor ose nëntor, ndërkaq shtetasit e Ukrainës dhe Gjeorgjisë mund të udhëtojnë pa viza gjatë dimrit.