Gjuriç: Ndodhemi në ultimatum për telekomin e Kosovës

0

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar se Beogradi ndodhet nën presion të fortë dhe ultimatum për shkak siç thotë ai, pasi i kërkohet të heqë dorë nga pasuria e Telekomit në Kosovë.
Gjuriç ka deklaruar për media serbe, se Beogradi zyrtar duhet të deklarojë nëse pranon ose jo marrëveshje për telekomunikacion, duke shtuar se ultimatumi është i papranueshëm.
“Serbia nuk mund të pranojë të heqë dorë nga pronat e saj në Kosovë. Në të kundërt, tha ai, do të heqë dorë nga posti i drejtorit të zyrës për Kosovën dhe postin e kryenegociatorit me Prishtinën.
“Nga ne kërkohet që të heqim dorë nga prona jonë, kur bëhet fjalë për telekomunikacionin, dhe për më tepër që të pranojmë se kjo pasuri nuk është me e jona dhe se i përket institucioneve të vetëshpallura, jolegale, të shtetit të rrejshëm në Prishtinë”, tha Gjuriç.
Ai shton se qeveria serbe po zhvillon diskutime serioze dhe të vështira.
Delegacioni i Beogradit i udhëhequr nga Gjuriç, javën e shkuar drejtoi bisedimet me Prishtinën në Bruksel në lidhje me marrëveshjen për telekomunikacionin. Kosova kërkon që të ketë kodin e saj telefonik.
“Kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht. Është e qartë se një i huaj, dikush që nuk është as nga BE-ja dhe as nga Prishtina ka ndërhyrë për t’i bërë këto bisedime të pasuksesshme. Ndoshta për ndonjë qëllim politik për t’i paraqitur Serbisë ndonjë presion edhe për shumë çështje të tjera që nuk janë ekspozuar deri më tani”, shtoi.