Gjirokastra dhe rrugaçëria politike

0

Nga data 10 deri me 16 maj, në Gjirokastër u mbajt Festivali Folklorik Mbarëkombëtar, në të cilin shqiptarët e Malit të Zi i përfaqsuan tri shoqata artistike: “Tradita”, “Ana e Malit” dhe “Buzuku”.

Për një grusht shqiptarësh, sa aktualisht edhe jemi në Mal të Zi, vetë pjesmarrja në këtë festival prestigjioz duhet të shikohet si një sukses i madh, ku qëllimi kryesor duhej të ishte shpalosja e vlerave folklorike të kësaj zone dhe ruajtja e tyre nga zhdukja.

Por falë një pune të shkëlqyer dhe talenti që nuk lind cdo ditë, Sh.K.A “Tradita” arriti një sukses që vështirë se do të përsëritet ndonjëherë. Ato “lanë shenj” në një festival ku konkurrenca është tmerrësisht e madhe, dhe llojllojshmëria folklorike të bën krenar qoftë edhe vetëm si publik.

Kur u mor vesh për suksesin e madh që u arrit, rrjetet sociale pothuajse “ranë” nga qindra e mijëra mesazhe urimi dhe admirimi. Dhe kjo me plot të drejtë. Pak kush e kishte pasur optimizmin e duhur të parashikonte një sukses të tillë.

Por siç ndodh rëndom me ne shqiptarët, pas një ekzaltimi fillestar fillojnë edhe dalin në skenë “çarjet” dhe “kritikat” e atyre që për folklorin dinë edhe më pak se për rock-un apo jazz-in( jo se dinë ndonjë gjë edhe për to). Sipas tyre, suksesi i “Traditës” nuk erdhi si rezultat i talentit dhe punës së tyre por më tepër si rezultat i “dhuratës” së jurisë për “miqtë e vegjël” nga Mali i Zi. Disa tjerë vajtën edhe më larg, duke e akuzuar “Traditën” se po përvetson suksesin e atyre që nuk janë antarë të shoqatës, duke aluduar për çmimin e Naxhije Popit dhe Fadil Velajt.

Këto “kritikë” që ditët e tyre i kalojnë poshtë e lartë me qëllim zhvatjen e ndonjë përfitimi politik dhe material për mentorët e tyre, meritojnë vetëm një përgjigje.

Egzona Salaj është ylli i ardhshëm i muzikës shqiptare në Mal të Zi. Ajo ishte zëri më i mirë në festival, dhe kushdo që e ka parë klipin e këndimit të saj nuk mund e të mos pajtohet me këtë fakt. Ajo nuk u shpall si e tillë se është nga Mali i Zi, por se thjesht ishte MË E MIRA!

Por disa janë mësuar që të përzgjedhin dhe përzgjidhen vetëm në baza politike dhe materiale, prandaj e kanë të vështirë të kuptojnë se dikush mund të arrijë diçka vetëm se është më i miri.

Përsa i përket Naxhije Popit dhe Fadil Velajt, ato janë krenar që ishin pjesë e këtij suksesi, dhe nuk do të ndjeheshin aspak më shumë krenar sikur ta arrinin atë me një shoqatë tjetër.

Suksesi i “Traditës” nuk është vetëm sukses i folklorit të Anës së Malit, por edhe i atij të Ulqinit, Krajës dhe Malsisë. Sukses i të gjithë atyre që mundohen të ruajnë folklorin e kësaj treve nga kërcënimi i zhdukjes dhe ndikimi i rrugaçëve politik që cdo gjë e shohin të përpjestuar në vota dhe ndikim zgjedhor.

Këta diletantë që mundohen të shfrytëzojnë dhe përlyejnë edhe aspektin më të pastër shoqëror, siç është folklori, vetëm që të përfitojnë dicka për veti, janë shumë më të rrezikshëm se bataljonët e Turgut Pashës apo Krajl Nikollës.

Për ta asgjë nuk është e shenjtë e as me vlerë, nëse nuk vjen nga ata dhe nuk u dedikohet atyre. Të paaftë për ndikim në baza aftësie, morali dhe dinjiteti, e vetmja rrugë që u mbetet është përçarja dhe konfuzioni. Por nëse mendojnë se ‘pelivanlleqet’ e tyre mund të zhbëjnë atë cka ky popull ka ndërtuar me shekuj, e kanë gabim. Edhe pse fara e keqe thonë e  gjen tokën e vet, nuk do të thotë se  do të gëzojë edhe frytet.

Suksesi i Traditës këtë e dëshmon më së miri.

 

Cen Durimmadhi