Gara për Shtëpinë e Bardhë – Përplasje e fortë mes Trump e Clinton në debatin e dytë

0

Në Seint Ljuis të Mizurit debati i dytë presidencial Clinton-Trump u zhvillua në një atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra.
Kandidatët, të cilët kur hynë nuk i dhanë dorën njëri-tjetrit si në debatin e parë, u pyetën për shembullin që ata duhet të jepnin për të rinjtë, një pyetje që nënkuptonte komentet vulgare të bëra nga zoti Trump për gratë 11 vjet më parë dhe që u publikuan të premten. Kandidati republikan u përpoq t’i shmanget pyetjes, duke ndryshuar temë disa herë.
“Ja kush është Donald Trump”, tha zonja Clinton.
Zoti Trump tha: “Nuk jam krenar (për videon). Shihni Bill Clintonin. Të mijat ishin fjalë, të tijat ishin vepra.”
“Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë më shumë se unë,” tha zoti Trump.

Zonja Clinton e quajti “të rrezikshme” retorikën e rivalit Trump për myslimanët. “Vizioni im i Amerikës është një Amerikë ku secili ka një vend”, tha ajo.
Zoti Trump u përgjigj duke thënë se islamofobia është problem, por shtoi se SHBA kanë një problem serioz. Ai përmendi vrasjet në San Bernardino si shembull të “terrorizmit islamik radikal”.
Të pyetur për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, zonja Clinton tha se Rusia po përpiqet t’i ndikojë zgjedhjet në favor të zotit Trump, “ndoshta ngaqë ai e ka lavdëruar Presidentin Putin, ndoshta ngaqë synon të bëjë biznes në Moskë.”

Në fund të debatit kandidatët u pyetën: Megjithë retorikën e tanishme, cila është ajo gjë që respektoni te njëri-tjetri?
Zonja Clinton tha se respektonte fëmijët e zotit Trump. Kandidati republikan u përgjigj se Hillary nuk dorëzohet dhe kjo është një veti e mirë.
Të dy thanë se nuk ishin dakord me të gjitha gjërat e tjera të njëri-tjetrit.
Kandidatët e përfunduan debatin e ashpër me një shtrëngim duarsh.