Gara për kryetar të PSD (SDP): Fillojnë çarjet e para?

0

Edhe pse zyrtarët e kësaj partie po mundohen që garën për kryetar të PSD (SDP) ta paraqesin si tranzicion normal mbrenda partisë, gjërat siç duken po marrin kahje tjetër.

Kohët e fundit janë shpeshtuar “pickimet” që dy taborret e mbledhur rreth kandidatit Ivan Brajoviq dhe kryetarit aktual Krivokapiq, po i drejtojnë njëri tjetrit.

Shtabi i kandidatit Ivan Brajoviq, i ka bërë thirrje përkrahësve të Krivokapiqit që të mos merren me analiza se cili kandidat ka më shumë përkrahje, por të mësohen me faktin që partia së shpejti do të ketë kryetar të ri. Sic thonë nga ky shtab, Krivokapiq nuk duhet të sillet sikur pas tij nuk do të ketë më as parti, pasi kryetarët shkojnë e vijnë por PSD mbetet.

Nga ana tjetër, përkrahësit e kryetarit aktual Ranko Krivokapiq e kanë “thumbuar” palën tjetër se përkrahja që ato gëzojnë në Cetinje, Rozhajë, Biello Polje dhe Kolashin, është e njëjtë me atë në Bokën e Kotorrit, ku 95% e delegatëve janë deklaruar pro Krivokapiqit.

Ato shprehen se kësaj partie kryetarin kurrë nuk ja kanë zgjedhur të tjerët, prandaj edhe ka mbetur në skenën politike tash 25 vjet.

Kongresi që do të mbahet me 3 qershor duket se do të jetë një nga më të “nxehtit” e këtyre kohëve   të fundit. Pa marrë parasysh fituesin, duket se gjërat në këtë parti nuk do të jenë më aspak të njëjta.

Përsa i përket shqiptarëve që janë të antarsuar në këtë parti, ata pothuajse njëzëri janë pro kandidatit Brajoviq i cili është i afërt me partinë e PDS (DPS).