FORCA: Vendimi i KZSH-së nuk ka bazë në Kushtetutë

0

Ulqin, 08.02.2018

Konferencë për media

Të nderuar,

Arsye e mbajtjes së konferencës së sotme për media është Vendimi i Komisionit shtetërorë zgjedhorë numër 85/4 nga data 07.02.2018 me të cilin Forcës së Re Demokratike i merret një mandat i këshilltarit.

Mendojmë se bëhet fjalë për Vendim i cili nuk ka bazë as në Kushtetutën e Malit të Zi e as në Ligjin zgjedhorë të Malit të Zi dhe ky Vendim nuk është i harmonizuar me principin e aksionit afirmativ të bazuar në nenin 79 të Kushtetutës së Malit të Zi. Një Vendim i tillë është precedent në praksën politike sepse me të ligji shqyrtohet në të mirë të një bashkësie(komuniteti) të pakicës kombëtare, e në dëm të një bashkësie(komuniteti) tjetër të pakicës kombëtare.

Bëhet fjalë për një vendim politik me të cilin dëshirohet të dobësohet pozicioni negociues i partive kombëtare shqiptare në procesin paszgjedhorë të formimit të pushtetit në Komunën e Ulqinit, e cila nuk është në pajtim me dëshirën e votuesve të cilët mbështetjen e vetë të bindshme për të menaxhuar me këtë qytet , ia kanë dhënë pikërisht partive kombëtare shqiptare, Forcës së re demokratike, si parti kombëtare e cila me vite të tëra ka një trup stabil votuesish, vepron pa asnjë konflikt dhe përçarje të brendshme, për ç’arsye edhe ka mbështetje të madhe nga qytetarët dhe në periudhën e ardhshme do të jetë subjekti kyç politikë në formimin e pushtetit të ri dhe udhëheqjes me Komunën e Ulqinit.

Pa dashur të shkaktojë polemika politike të çfarëdo lloji, por për shkak të besueshmërisë së madhe të cilën qytetarët e Komunës së Ulqinit ia kanë dhënë, dhe për shkak të mbrojtjes së të drejtës së tyre votuese, Forca e re demokratike është e obliguar që të përdor të gjitha mjetet juridike për të vërtetuar ligjshmërinë e Vendimit të Komisionit shtetërorë zgjedhorë, gjë që do ta bëjë me dorëzimin e Ankesës Kushtetuese Gjyqit Kushtetues të Malit të Zi, kundër vendim i cili i shkon në dëm të popullit shqiptarë si popull pakicë në Mal të Zi.

Me këtë rast theksojmë se Forca e Re Demokratike me anë të përfaqësuesve të vetë në Komisionin zgjedhorë komunal, do të insistojë që të shqyrtohen edhe të gjitha parregullsitë  tjera zgjedhore për të cilat është treguar edhe në ditën e zgjedhjeve, e të cilat janë pjesë e lëndëve të ankesave nga subjekte të ndryshme politike, e të gjitha këto me qëllim të mbrojtjes së të drejtës së votës së lirë të qytetarëve, e cila gjatë ditës së zgjedhjeve ishte e rrezikuar seriozisht nga ana e disa subjekteve politike dhe individëve përreth tyre, të cilët me anë të presioneve të ndryshme kanë tentuar të ndikojnë në dëshirën e lirë të zgjedhjes së qytetarëve.