Forca në zgjedhje me sloganin “Të mbrojmë të ardhmen”

0

KUMTESË

Forca e Re Demokratike ka vendosur që të dal vetëm në zgjedhjet e rregullta lokale të Komunës së Ulqinit e bindur që ka për të dalë subjekti i parë politik. Fatkeqësisht, përpjekjet e njëpasnjëshme për të krijuar një koalicion parazgjedhor të gjerë të partive politike shqiptare kanë hasur në mungesën e vullnetit nga ana e aktorëve të tjerë. Në dy vitet që ka udhëhequr Komunën e Ulqinit FORCA ka sjell në Komunën e Ulqinit një model të ri të qeverisjes së mirë që e administron buxhetin në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase.

Nga njëra anë FORCA në Ulqin ka zvogëluar shpenzimet abuzive dhe shpërdorimet duke konsoliduar buxhetin e komunës. Nga ana tjetër ka përmirësuar shërbimet komunale, ka nisur investime në infrastrukturën bazike komunale dhe ka krijuar një mjedis tërheqës për investitorë të huaj. Të gjitha këto hapa garantojnë një të ardhme të sigurt për komunën tonë prandaj slogani i fushatës së FORCËS ka për të qenë “Të mbrojmë të ardhmen”. Ky slogan reflekton vullnetin e partisë sonë për të penguar kthimin prapa në epokën e abuzimeve, shpërdorimeve dhe paaftësisë. Me anën e këtij slogani duam të bëjmë thirrje që të mbrojmë të ardhmen e popullit tonë, të ardhmen e identitetit, simboleve dhe traditave shqiptare, të ardhmen e zhvillimit dhe qeverisjes së mirë.
Me anën e kësaj komunikate për shtyp ne gjithashtu duam të njoftojmë publikun edhe për faktin që FORCA do të prezantohet në këto zgjedhje me një program të ri, me një ekip të ri profesionistësh si dhe me një imazh të ri. Forca jonë politike po dëshmon se është e aftë të eci në hap me kohën, ka përgjegjësinë që ti dëgjoj e kuptojë më së miri kërkesat e qytetarëve dhe ka kapacitetet që të përgatisë ofertën më të mirë politike në vend duke hartuar një platformë elektorale që i përgjigjet më së miri nevojave të kohës. Këtë program po e harton grupi ynë i punës i përbërë nga kuadro të rinj të talentuar të cilët janë lidershipi i ardhshëm i partisë sonë.

Pjesë e këtij evoluimi të partisë sonë është edhe ribrendimi që kemi ndërmarrë. Në këto zgjedhje ne garojmë me logon tonë të re që konsiston në emrin e partisë sonë të shkruajtur në ngjyrën blu që ka karakterizuar gjithmonë FORCËN si dhe me një stilizim modern të kokës së shqiponjës në shkronjë R.

Kjo shërben për të theksuar dimensionin tonë kombëtar duke qenë se shqiponja është simbol kryesor i popullit tonë prej nga edhe marrim emrin shqiptar.

Ulqin, 08/01/2018