Forca: Elezagiq pas 18 viteve në pushtet flet për satelitë?!

0

Në adresë të portalit tonë ka mbërritur një kumtesë për media e Forcës së Re Demokratike. Kumtesën po e japim në terësi.

 

Kumtesë për media

Ulqin- 22.01.2016

Kryetari i Këshillit Komunal të PSD (SDP) Ulqinit, Skender Elezagiq, me sa duket ka filluar fushatën zgjedhore dhe po niset për të fituar votat e partive shqiptare. Kjo tentativë mund të shihet si diçka e mirë, pasi në 20 vite aktivitet ka pasur rezultate të shkëlqyera në këtë fushë.

Para se të vraponte të akuzojë partitë shqiptare për mbështetjen e qeverisë qendrore, vendim për të cilin ai siç duket ka aftësi parashikuese, duhej të kishte pyetur veten se çka ai personalisht dhe partia të cilës i takon, kanë bërë për procesin e privatizimit, ndërtimin e infrastrukturës, vendosjen e zonës bregdetare në përputhje me ligjin, për kthimin e pronave në Valdanos, mbrojtjen e Kripores , për tërheqjen e investitorëve të besueshëm etj..Një asgjë të madhe përveç interesave të ngushta personale.

Dhe me gjithë ato poste ministrash dhe zyrtarë në krye të ndërmarrjeve të ndryshme publike, keni mundur të bëni shumë më tepër se sa partitë shqiptare.

Duhet pranuar, keni pasur një përpjekje të pasuksesshme për të sjellë investitorë të huaj, kompaninë e njohur Cubux Lux, i cila sipas vlerësimeve tuaja ishte një subjekt i njohur ndërkombëtar në fushën e turizmit dhe për këtë duhej ti jepej Valdanosi. Për çudi ky subjekt është zhdukur pa lënë gjurmë.

Duke u nisur nga parimi se sulmi është mbrojtja më e mirë, zoti Elezagiq po mundohet që për dështimin e vet politik të fajsojë partitë shqiptare.

Një tentativë paraprakisht e destinuar të dështojë, pasi populli çdo gjë mban mend dhe asgjë nuk harron.

 

 

Shërbimi për informim i Forcës