Fjolla Cakuli reagon: Nikolaidis i njëanshëm rreth ndeshjes në Beograd

0

Shkrimtari malazez Andrej Nikolaidis ka bërë sot një shkrim për theguardian, të cilin mund ta lexoni këtu. Shkrimi tenton të paraqitet si neutral, por është në fakt shumë i njëanshëm. Është interesante se si ai gjatë gjithë shkrimit fokusohet tek droni me flamurin e “Shqipërisë Etnike”, të cilin tek e fundit nuk dihet kush e ka zbritur në fushë, e në asnjë moment nuk përmend dhunën e ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë nga ana e tifozëve serbë. Ai harron faktin se në momentin kur ka zbritur flamuri, loja ka qenë e ndalur (Nikolaidis ndoshta edhe nuk e ka parë ndeshjen fare) për shkak të eskalimit të situatës nga tifozët serbë, të cilët vazhdimisht hidhnin sende të forta dhe mjete plasëse në fushë. Përveç kësaj, lojtarët shqiptarë janë sulmuar verbalisht gjatë gjithë minutave të ndeshjes, me brohoritje si “Vrit, ther, që shqiptari të mos ekzistojë, e kroatët të mos kenë vëllezër” ose “Kosova është Serbi”, e këto me sa duket Nikolaidis nuk i paska dëgjuar, megjithëse janë brohoritur nga e gjithë masa në gjuhën e tij amtare.

Në shkrimin e tij, Nikolaidis përmend në mënyrë shumë të paqartë e të vagullt faktin se tifozët e kombëtares shqiptare nuk janë lejuar të futen në stadium. Ai thotë “në mënyrë që të shmangen trazirat, është deklaruar se tifozët e ekipit shqiptar nuk lejohen të futen në stadium”. Në këtë fjali ka një problem shumë të madh, sepse nuk ceket se kush nuk ka lejuar prezencën e tifozëve shqiptarë në stadiumin Partizan në Beograd, e këtë e ka bërë Shoqata e Futbollit e Serbisë.

Nikolaidis gjithashtu nuk përmend dhunën që u ushtrua ndaj lojtarëve shqiptarë pas lëshimit të flamurit, por gjen rastin të përmendë vetëm faktin se mediat serbe kanë raportuar se droni është komanduar nga vëllai i kryeministrit shqiptar. Ai nuk përmend as deklaratat që kanë bërë zyrtarët më të lartë serbë, si p.sh. Presidenti i Serbisë, Nikolic, i cili ka thënë se “Shqipërisë do i duhen dekada, nëse jo edhe shekuj, për t’u bërë një shtet normal, pa urrejtje ndaj serbëve”.

Nikolaidis më tej vazhdon duke thënë se shqiptarët të cilët festuan në Ulqin, Plavë dhe Tuz nuk kishin çfarë të festonin. Ai më pas, kur flet për sherrin në mes të nxënësve në Tuz, përkujton faktin se Mali i Zi nuk po luante në atë ndeshje. Kaq e pakuptueshme është për Nikoladisin se ata që i përkasin kombit shqiptar mund të jenë tifozë të kombëtares shqiptare në futboll? Kaq e pakuptueshme është se shqiptarët që festuan, kanë festuar ndaljen e ndeshjes në të cilën bashkëkombasit e tyre po dhunoheshin verbalisht e fizikisht? Kaq e pakuptueshme është për të që shqiptarët në Ulqin, Plavë dhe Tuz po shprehnin mosmiratimin e tyre ndaj kësaj dhune?

Ftoj Nikolaidisin që herës tjetër që përpiqet të bëjë një paraqitje të situatës, ta bëjë atë objektivisht, ose në të kundërt të shprehet hapur se përkrah njërën anë.