Sot nisi realizimi i projektit për pastrimin e kanalit të Braticës, i cili kohëve të fundit, për shkak të sasisë së madhe të grumbulluar të mbeturinave, është shndërruar në shkaktarin kryesor të përmbytjeve dhe dëmtimit të Port Milenës.
Pastrimi i këtij kanali ishte një akt, i cili duhej realizuar sa më shpejt, në mënyrë që përmbytjet tashmë të ngelen një e kaluar e papërsëritur.
Projekti është bashkëfinancim në mes të Komunës së Ulqinit dhe Komunës Kajl të Luksemburgut, shpjegoi kryetari Cungu për Televizionin Teuta, teksa në realizimin e këtij projekti marrin pjesë Komuna e Ulqinit , NP “ Veprimtaritë Komunale “ dhe Agjensioni për Ndërtim dhe Zhvillim pranë Komunës së Ulqinit.
Drejtori i Veprimtarive Komunale Mehmed Zenka beson që pastrimi i kanalit do të përmbyllet brenda afatit të caktuar.
Faktori njeri është ai kryesori, i cili me pakujdesinë e vet ndikon në mbylljen e kanalit. Shpresojmë që ky të jetë një mësim për vetëdijesimin e qytetarëve që mbeturinat t’i hedhin në vendin e duhur. Më mirë të parandalojmë rrezikun, sesa të shërojmë plagët e shkaktuara prej tij.
Ky është njëri ndër projektet të cilat Komuna e Ulqinit i ka në vijimësi për të tejkaluar problemin PËRMBYTJE.