Fejziq, reis i zgjedhur parregullisht?

0

Se cdo post në administratën shtetërore kontrollohet nga partitë në pushtet, është një fakt që tashmë nuk habit askënd. Por sic duket, shënjestra e radhës janë postet fetare. Ose më mirë të themi kanë qenë edhe më parë por vetëm tani po e marrim vesh haptas.

Sipas gazetës “Vijesti”, zgjedhja e reisit aktual Rifat Fejziq ishte ndikuar nga partia e PDS, kundrejt kandidatëve të tjerë, njëri prej të cilëve përkrahej nga PSD.

Për këtë dëshmon procesverbali i mbledhjes së Bashkësisë Islame të Tivarit me 27 qershor 2003, ku kryetari i atëhershëm i kësaj Bashkësie Sulo Mustafiq, thotë se Fejziq po mbështetet nga PDS, kurse kandidati tjetër Ali Cikotiq nga PSD.

Sipas Mustafiq, për zgjedhjen e Fejziq ka pasur edhe presione nga PDS, dhe se ai nuk është pajtuar që partitë të ndikojnë në këtë zgjedhje.

Kundër kësaj ka qenë edhe kryeimami i atëhershëm Mujdin Milaimi, i cili këto presione i quajti sjellje jokorrekte si dhe theksoi shkeljen e Kushtetutës së Bashkësisë Islame në Mal të Zi.

Milaimi tha se kandidatura e Fejziq është jashtë rregullave pasi ai nuk i ka pesë vitet e nevojshme të përvojës në punë.

Më vonë atij i ka telefonuar reisi i atëhershëm Idriz Demiroviq, i cili i tha se Bashkësia Islame e Tivarit nuk duhet të përcaktohet për kandidatët pasi ishte tepër vonë dhe se në pyetje ishin edhe lojra politike në Bashkësinë Islame të Malit të Zi.

Në votim, kandidaturën e Fejziq e përkrahën 8 antarë, kurse 4  Cikotiqin.

Fejziq ka qenë gjithmonë aktiv edhe nga ana politike, duke u vendosur në anë të Partisë Boshnjake në zgjedhjet e fundit lokale, dhe në anë të Vujanoviq në ato presidenciale.

Por edhe më skandaloz është fakti se, nëse Milaimi ka të drejtë, Fejziq është zgjedhur në mënyrë të parregullt pasi nuk plotësonte kushtet.

Se institucionet fetare, e sidomos ato të fesë islame kanë degjeneruar komplet, e tregon edhe fakti i bashkësive islame në qytetet e tjera. Nuk është aspak e cuditëshme që në poste drejtuese të kryetarëve dhe imamëve gjenden shpesh persona me biografi politike aktive, disa bile edhe ateist të njohur apo antarë të partive politike.