Federata Shqiptare deponon faktet, UEFA vendos nesër

0

Federata Shqiptare e Futbollit konfirmon, se pas një pune intensive një javore, në bashkëpunim me ekspertë vendës dhe të huaj, ka dorëzuar në UEFA të gjithë dokumentacionin për Komisionin e Disiplinës, në lidhje me ndërprerjen e ndeshjes Serbi – Shqipëri, zhvilluar në Stadiumin “Partizani” të Beogradit, më 14 tetor të këtij viti.

Presidenti Armand Duka, së bashku me juristë të studiove juridike shqiptare dhe të huaja, ndodhen në Zvicër, për të mbrojtur çështjen e kombëtares së Shqipërisë, e cila u dhunua që para fillimit të ndeshjes deri në ndërprerjen e saj, në stadiumin “Partizani” në Beograd, prej koreve raciste, sendeve të forta, fishekzjarreve, grushtave dhe goditjeve të lojtarëve tanë nga tifozë dhe forca të sigurisë të pranishme në impiant. Takimi, i pambyllur zyrtarisht, pas minutës së 41 të ndeshjes, është bërë objekt i komisioneve të UEFA-s.

Dy studio ligjore ndërkombëtare, përfshirë edhe atë që FSHF-së ka në dispozicion për të gjithë aktivitetin e saj juridik, do të jenë prezente me materialet e tyre për të mbrojtur të drejtat e FSHF-së, në këtë qëllim. FSHF-ja, shpreson që me 23 tetor, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s do të gjykojë me objektivitet, atë që ndodhi në fushën e lojës dhe jashtë saj, për shkak të mosmarrjes së masave dhe të një organizimi të pamjaftueshëm të ndeshjes nga ana e vendit organizator. /TOSKANAPRESS.INFO