Emigrimi: Prej fillimit të vitit nga Mali i Zi kanë ikur 3500 vetë

0

Qeveria e Malit të Zi nuk ka kurrfarë statistike zyrtare për numrin e njerëzve që përditë largohen nga vendi dhe mbështetet kryesisht në të dhënat e sektorit joqeveritar.

Këto të dhëna jozyrtare, sipas organizatës Euromost, flasin për më shumë se 3500 vetë të larguar që prej fillimit të viti 2015, kryesisht nga veriu i vendit.Kjo përbën 2% të popullsisë aktuale.

Por ky fenomen ka filluar të prekë edhe jugun.

Nga komuna e Tivarit, në katër muajt e fundit, janë larguar rreth 250 vetë. Nuk është vështirë të kuptohet se cfarë kombësie kanë shumica e këtyre të larguarve.

Por jo vetëm në Tivar. Edhe në komunat e veriut, shumica e të larguarve janë pjestarë të popujve pakicë.

Derisa politikanët deklarativisht merren me përmirsimin e politikës dhe ekonomisë rajonale, e në anën tjetër përmirsojnë vetëm atë familjare, populli ka humbur durimin.

Numri i banorëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi po bie dita ditës, por shumica dërrmuese e atyre që po ikin nuk janë as maqedon e as malazez.

Komedisë tragjike i shtohen edhe deklaratat qesharake të krerëve të këtyre pushteteve, ku sipas tyre, fajin e ka Europa që i nevojiten emigrantët, si dhe manipuluesit që përfitojnë nga tregtia e njerëzve.

Ndoshta kur të mos ketë më popull ndaj të cilit ushtrojnë pushtet, atëherë do të rishikojnë edhe politikën e vet.

Por vetëm ndoshta.