Emërtimi i rrugëve: Partive serbo-malazeze u pengojnë emrat e rinj

0

Kryetarët e degëve të Frontit Demokratik (DF) dhe PPS (SNP) në Ulqin, Millan Rolloviq dhe Andrija Qetkoviq, janë shprehur të pakënaqur me emrat e rinj të rrugëve, bulevardeve dhe urave që janë propozuar nga Këshilli komunal për emërtime, shkruan gazeta “Dan”.

Sipas tyre, procedura dhe emrat nuk ndryshojnë nga ato të propozuar në vitin 2001, ndryshimin e të cilëve Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar në kundërshtim me Kushtetutën.

Ato kanë shprehur pakënaqësinë për ndryshimin e emrave të heronjve të njohur të Luftës Nacionalçlirimtare me ato të , siç thonë ata, bashkëpuntor të okupatorëve (Cafo Begu) dhe nacionalistëve islamiko-shqiptar ( Hafiz Ali Ulqinaku dhe Ymer Prizreni).

Rolloviq poashtu ankohet se si antarë komisioni nuk i është dhënë mundësia të ndikojë në këtë proces.

PPS, thotë Qetkoviq, do ti drejtohet përsëri insitucioneve relevante në lidhje me këtë problematikë.

Kryetari i Këshillit për emërtime Nail Draga, thotë se shumica e emrave do të mbesin, por ka edhe të rinj.

“Rrugët në Shtoj dhe Gjerana do të marrin numra në vend të emrave. Kemi propozuar që disa rrugë të marrin emrat e Sabataj Cevit dhe Antonio Baldacit, e nëse propozimi kalon, një rrugë do të mbajë emrin e akademikut Pavle Mijoviq kurse një tjetër atë të Radovan Zogoviq. Kuptohet që do ti mbajmë emrat si Skenderbeu, Nënë Tereza, Hafiz Ali Ulqinaku.….Kjo është një pasqyrë reale e gjendjes nacionale, gjuhësore dhe fetare në Ulqin. Nuk do të bëjmë gabime si në Podgoricë, që nga 400 rrugë, asnjë të mos ketë emër shqiptarë”, përfundoi Draga.