Ekspertët kosovar për demarkacionin me Malin e Zi: Kosova humb mbi 8.000 hektarë

0

Duke pas parasysh shumë paqartësi rreth demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi dhe duke parë që një numër i konsideruar individësh dhe institucionesh gabimisht po i qasen problemit të demarkacionit, Dr. Florim Isufi dhe Dr. Shpejtim Bulliqi kanë publikuar punimin shkencor me titull “Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi (Aspekte ndërkombëtare, gjeografike, politike dhe historike) Gusht 2015” në mënyrë që të japin sqarime shtesë për ketë problematikë
Ata i janë përmbajtur tri pyetjeve kryesore gjeografike që bëhen para se të fillohet një hulumtim: KUR, KU dhe nga KUSH u bë ndarja kufitare mes njësive administrative të ish-Jugosllavisë.

“Së pari në mënyrë kronologjike hulumtuam se a ka pas komision për përcaktim të vijave kufitare ndonjëherë në ish-Jugosllavi dhe cili ishte ai komision. Gjithashtu konsultuam edhe numër të madh dokumentesh grafike (harta) ku prezantoheshin kufijtë administrativ të ish Jugosllavisë”, thonë Isufi dhe Bulliqi për Koha.net.

Ata, përmes hulumtimeve, erdhën në përfundimin se pas lutës së dytë Botërore në Jugosllavi ishte një komision për caktimin e vijave kufitare që i printe Milovan Gjilasi. Ky komision ishte në nivel federal dhe se ishte kompetent për përcaktimin e vijave përfundimtare.

“Komisioni u propozua nga Politbyroja e komitetit qendror të PK të Jugosllavisë me 11.06.1945, ndërsa u formua me 19.06.1945 nga kryesia e AVNOJ-të. Kryetar i komisionit u caktua Milovan Gjilas (me etni malazeze) si njeriu më i besueshëm i Titos”, thonë ata.

Sipas tyre, edhe në at kohë, sikurse sot, për prezantimin e vijave kufitare si hartat më të sakta dhe me kredibile ishin hartat topografie.

“Ne i dhamë vetes për detyrë që t’i siguronim hartat topografike të asaj kohe dhe të kontrollonim a kishin vija kufitare të paraqitura në to apo jo”, thonë ata për Koha.net.

Për fat të mirë, ata i siguruan hartat topografike dhe atë të periudhës vijuese nga 1948 deri 1962 kur vepronte komisioni. Harta të prodhuara nga Instituti i gjeografisë ushtarake të Jugosllavisë dhe të publikuara në Enciklopedinë e Jugosllavisë e cila gjendet në shumicën e bibliotekave gjithandej nëpër Botë.

“Këto harta i gjeoreferencuam dhe i futëm në GIS për përpunim të më tejmë. Mbi to vizatuam vijën kufitare me Malin e zi. Qe të vërtetojmë ndryshimin apo mos ndryshimin e sipërfaqes së Kosovës ishte e nevojshme të kemi vijën kufitare të propozuar nga komisioni aktual për demarkacion dhe mirëmbajtje të kufirit. Me qenë se kjo vijë kufitare ende nuk është publikuar dhe nuk mund të shfrytëzohet dhe analizohet nga opinioni publik dhe qarqet shkencore, ne vumë mbi harta topografike kufirin aktual që shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës dhe nga disa Gjeo-Web portale botërore. Që në start kemi vërtetuar se ka një mos përputhje të këtyre vijave. Me analiza të më tejme konstatuam se kjo mospërputhje është rreth 8890.5 ha”, theksojnë Dr. Florim Isufi dhe Dr. Shpejtim Bulliqi në hulumtimin e tyre dërguar portalit Koha.net.
“Kosova, sipas këtyre vijave, humb 8890.5 ha, në raport me Malin e Zi, ndërsa fiton rreth 761.2 ha. Bilanci i shkëmbimit territorial mes këtyre dy shteteve është rreth 8229.3 ha negativ për Kosovën”, theksojnë ata.

Më tej, Isufi dhe Bulliqi kanë analizuar kualitetin e vijave kufitare, asaj të komisionit federal të ish-Jugosllavisë (kufijve të TITOS) dhe asaj që tani përdorin institucionet e Kosovës.

“Kufiri i ashtuquajtur i Titos në aspektin kualitativ, mundësisë së mirëmbajtjes si dhe mundësisë së paraqitjes së ndonjë mospajtimi e ndonjë ngatërrese të mundshme individuale apo institucionale është e punuar me kujdes dhe me profesionalizëm shumë të madh. Kjo edhe është e arsyeshme se në të kanë punuar hartografët më të mirë të kohës me instrumentet më të zhvilluar të asaj kohe në njërin ndër institutet më zhvilluara ndoshta edhe ne Evropë”, thonë më tej ata.

Vija kufitare e shfrytëzuar aktualisht nga institucionet e Kosovës dhe disa ueb serverë, ata theksojnë se profesionalisht është me të meta, nuk i përmbahet rregullave fiziko-gjeografike, dhe në vete lë mundësi të mëdha të paqartësive në terren.

“Duke pa se numër i konsiderueshëm i njerëzve po përqendrohet vetëm në shfrytëzimin e kullotave për bagëti dhe se mund të ekzistojë mundësia e ndonjë marrëveshjeje me Malin e Zi për shfrytëzimin e tyre, ne iu kemi qas edhe analizës së valorizimit ekonomik dhe dëmeve që mund të shkaktohen nga ndryshimi i vijës kufitare”, potencojnë ata.

“Kemi analizuar pellgun e lumit Bjelluha si një kompaktësi morfologjike dhe hidrike të terrenit i cili mbetet komplet jashtë territorit të Kosovës me hartat që përdoren nga institucionet e Kosovës në kundërshtim me hartat e komisionit Gjillasit në kohën e TITOS. Kemi ndjek të gjitha procedurat shkencore hartografike dhe fiziko-gjeografike dhe kemi nxjerr disa rezultate. Pellgu Bjelluah konsiderohet si një nga burimet kryesore të Lumbardhit të Pejës, me një sasi të madhe të ujit. Ky pellg ka mbi 45% ekspozicion verior, që për gjerësitë e mesme gjeografike veriore, në një lartësi të tillë mbidetare konsiderohet si një pasuri e madhe”, thonë më tej në hulumtimin e tyre Dr. Florim Isufi dhe Dr. Shpejtim Bulliqi.

Ata thonë se duke studiuar morfologjinë e pellgut dhe duke parë se pellgu është i izoluar nga Mali i Zi, dhe i cili ka dalje në anën e Kosovës përmes një gryke të ngushte afër Kuqishtës, u simulua mbyllja e rrjedhës së lumit me një pendë për të ndërtuar liqe artificial.

“Fituam një liqe artificial i cili në bazë të lartësisë së pendës do të akumulonte sasinë e ujit të rrjedhës së Bjelluhës. U konstatua se një liqe i tillë artificial në hapësirën më ekologjike në Kosovë do të ishte kapital shumë i çmuar dhe mjaft profitabil për rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovën në tërësi. Liqe të tillë artificialë në lartësi të tillë mbidetare dhe me vëllim të njëjtë ka gjithandej në botë”, theksojnë ata.

Pas analizave të bëra dhe rezultateve të fituara, mund të përfundohet se:
• Ka probleme dhe paqartësi në vijën kufitare të Kosovës me Malin e Zi;
• Vija kufitare e punuar dhe e publikuar në hartat topografike 1948/58/62 nga IGJU i Jugosllavisë është i saktë, metodologjikisht i drejtë, dhe se askush nuk mund të gjej asnjë vërejtje bazuar në morfologjinë e terrenit;
• Vija kufitare e punuar dhe publikuar nga institucionet e Kosovës nuk i përmbahet rregullave për demarkacion, nuk i përcjell vijat ujëndarëse dhe ka probleme të shumta identifikuese dhe në mirëmbajtje të kufirit;
• Dallimi në sipërfaqen e Kosovës mes këtyre dy vijave kufitare është 82.3 km2 në dëm të Kosovës;
• Sipas vijës kufitare nga hartat e institucioneve të Kosovës jashtë territorit të Kosovës mbesin burime kryesore ujore të Lumbardhit të Pejës;
• I shkaktohet dëm i pa llogaritshëm Kosovës në aspektin ekonomik dhe resurseve ujore.

/gazetaexpress/