“Do ta parandalojmë demarkacionin, me çdo mjet të mundshëm!”

0

Arritja e një konsensusi mes pozitës e opozitës për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duket një “ëndërr” e parealizueshme. Deklarimet e të dyja palëve, para se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, t’u bëjë ftesë krerëve të tri partive opozitare për një takim, nuk po kontribuojnë në afrimin e qëndrimeve mes tyre, por ndarjes edhe më të madhe. E si rezultat i mos arritjes së një konsensusi, ekzekutivi pritet ta dërgojë në mënyrë arbitrare në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.
Opozita është shprehur e vendosur se nuk do ta lejojë të ndodhë një gjë e tillë, dhe se këtë do ta parandalojë me të gjitha mjetet e mundshme.
Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Telegrafin se janë të bindur që demarkacioni nuk duhet të kalojë, dhe se këtë do ta ndalojnë me çdo mjet demokratik nëse qeveria shfaq vendosmëri që të vazhdojë sipas tij me arrogancën e saj.
“Është krejt e papranueshme që kur qeveria ka marrë argumentet e mjaftueshme që demarkacioni është i gabuar, të tentojë ta shtyjë përpara këtë çështje. Aq më pak kur tani qeveria ka përpara një plan 5 pikësh të propozuar nga ne”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se në rast se nuk merret parasysh zgjidhja të cilën e kanë propozuar, atëherë zgjidhja mbetet tek përdorimi i çdo mjeti që e parandalon këtë marrëveshje.
“Çdo zgjidhje duhet ta ketë synim mbrojtjen e territorit. Ne jemi të vendosur që të mos lëmë asnjë centimetër katror t’i falet një vendi tjetër”, u shpreh Hoti, duke shtuar se arsyeja pse nuk po mund të arrijnë konsensus është se Qeveria e Kosovës është formuar mbi një bazë të dobët.
Në anën tjetër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se presin nga qeveria që të reflektojë karshi kësaj çështje. “Tashmë tema e demarkacionit është e vdekur për neve, për Kuvendin dhe për Kosovën. Ne po presim që qeveria të reflektojë konform mundësisë që i është dhënë për ta rikthyer ketë temë në pikën zero e për të nisur diçka të re e cila nuk do të cenojë territorin e vendit”, ka thënë për Telegrafin, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj. Ai ka theksuar se Kuvendi e ka thënë fjalën e vet, kur nga qeveria u tërheq projektligji për marrëveshjen e demarkacionit, ajo është ngjashëm sikurse deputetët t’ia kishin dhënë votën kundër.
“Demarkacioni në versionin aktual nuk duhet të sillet në kuvend pasi që është dëshmuar se me këtë version Kosova do të humb mbi 8200 hektar. Çështja e konsensusit është e vonuar por edhe nëse ndodhë të ketë një konsensus ai duhet të jetë që kjo marrëveshje duhet të kthehet në pikën zero dhe të rishikohet nga fillimi, të përmirësohen gabimet e pastaj kur çdo gjë të jetë në rregull atëherë mund të sillet në kuvend për tu votuar. kjo qeveri duhet të kuptoj se ka dështuar dhe se për dështim të tyre nuk guxojnë të rrezikojnë të ardhmen e shtetit dhe territorin e saj, “sepse këtë nuk do të lejojnë as qytetarët e as ne”.