Diaspora reagon e shqetësuar për gjendjen e shqiptarëve

0

Shoqatat shqiptare në Amerikë kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me situatën politike të shqiptarëve në Mal të Zi.

Në një deklaratë të përbashkët, ato kanë bërë thirrje për unifikim të subjekteve politike, ndaljen e copëzimit të elektoratit shqiptar, dhe më tepër hapsirë për të rinjtë në politikë.

Deklaratën mund ta lexoni më poshtë.

 

“Në faqet kryesore të mediumeve elektronike në gjuhën shqipe dhe malazeze lexohet për “kacafytjet” politike dhe tregtinë me poste në mes të deputetëve shqiptarë në parlamentin e Mal të Zi.A thua vallë këtyre ngjarjeve u kanë paraprirë situatat e kurdisura nga vetë këta politikan?!

Ne në diasporë këto ngjarje i kemi përcjellë me vëmendje të madhe, sikurse çdo gjë tjetër që ka të bëjë me fatin e bashkëvendësve tanë. Këto ngjarje, si dhe shumë situata të tjera të pa pëlqyeara, na shqetësojnë pa masë.Na brengos fakti se shqiptarët çdo ditë e më shumë vazhdojnë të jenë të shpërndarë dhe të parcializuar në shumë parti politike.Të jemi të sinqertë, ne nuk e dijmë as numrin aktual te subjekteve politike(!?).E gjithë kjo,ngjall dyshime të thella duke nxitur shumë pyetje pa përgjigje! Pse kemi kaq shumë parti politike në një popullatë autoktone me numër kaq të vogël votuesish?

A thua shqiptarët që jetojnë nën Mal të Zi nuk kanë liderë të rinj që dinë të merren me politikë, a po ndoshta klasa e vjetër politike nuk len hapësirë për angazhim dhe veprimin e tyre, edhe pse pothuajse me dekada janë në pozita udhëheqëse dhe rezultatet e tyre dihen shumë mirë.Pse nuk po ndodh unifikimi i subjekteve nacionale, së pakut në një front të bashkuar shqiptarë?Dhe shumë pyetje të tjera që ne na bëjnë të dyshojmë se dikush me qëllim po e ndalon këtë hap i cili është në të mirën e shqiptarëve të cilët jetojnë në trojet e tyre autoktone.

Shqiptarët me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi, që jetojnë në SHBA janë të organizuar në disa organizata/shoqata atdhetare dhe për çdo ditë po dëshmojnë unifikimin dhe bashkëpunimin në mes tyre. Siç është bërë e njohur për opinionin,në muajin nëntor të vitit të kaluar, ne Michigan u nënshkrua Memorandumi ( Marrëveshja) për Bashkëpunim, në mes të shoqatave dhe se shpejti do të krijohet edhe një kryesi e përbashkët e cila,përveç tjerash do të kryej rolin e Lobit Shqiptaro American për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve nën Mal të Zi. Bashkëpunimi ynë përherë ishte dhe do të jetë në nivel maksimal dhe gjithënjë si vëllezër të një gjaku përulemi para çështjes madhore kombëtere. Edhe pse jemi larg vendlindjes,asgjë nuk na pengon për bashkim e bashkëpunim,sepse moto kryesore e jonë është që të ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona në vendlindje për realizimin e të drejtave të tyre, dhe në asnjë mënyrë interesat tona personale.

Mirpo,në vendlidje, po ndodh e kundërta. Ne mendojmë se është interesi personal i disa politikanëve dhe liderëve shqiptar që pengon dhe mbajnë peng bashkimin dhe unifikimin e shqiptarëve nën Mal të Zi. Ne, në shoqatat tona në diasporë,kemi kuvendet zgjedhore çdo dy apo katër vite mvarësisht nga statuti përkatës i shoqatës dhe nuk kemi kryetar të përjetshëm,kurse për disa parti politike shqiptare,as nuk eksistojnë kuvendet zgjedhore, por një kryetar bashkë me dy tre përsona të tjerë rreth tij, uzurpojnë gjithë kryesinë e partisë me vite të tëra,por edhe dekada duke luajtur rolin e ” shpëtimtarëve” të kombit.

Ky mentalitet i disa liderëve të subjekteve politike,nuk mund të karakterizohet ndryshe përveç si diktaturë partiake centraliste e klaneve dhe grupeve të interesit.

Ne në diasporë gjithnjë kemi bërë thirrje për bashkimin dhe unifikimin e faktorit politik shqiptar por edhe përkundër deklaratave dhe premtimeve të disa përfaqësuesve politik shqiptar, me keqardhje dhe zhgënjim të thellë konstatojmë se deri më sot ende nuk ka ardhur deri te një realizim i tillë.Ironia më e madhe është se pjesa dërmuese e subjekteve politike shqiptare në fushatat e tyre parazgjedhore paraqiten para votuesve të vet me mezashe dhe parrulla pompoze siç janë : ” Shqiptarët Bashkë”, “Jemi Bashkë” etj, por pas zgjedhjeve, dominon retorika e tyre e ndarjeve dhe përçarjeve.

Kohëve të fundit, spektrit të dendur politik shqiptar, iu bashkangjit edhe një subjekt i ri politik shqiptar. Lidhur më këtë po përsërisim ate që kemi thënë disa herë edhe më parë. Shoqatat që përfaqësojnë diasporën shqiptare me prejardhjen nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi nuk përkrahin asnjë subjekt të vetëm politik deri sa këto subjekte politike janë të ndara apo paraqiten me lista të veçanta, me rastin e zgjedhjeve .Gjithashtu,kohë pas kohe ndigjojmë që ndonjë parti apo lider i tyre politik deklarojnë se kanë përkrahjen e diasporës shqiptare. Andaj, ata subjekte politike që deklarojnë se kanë përkrahjen e diasporës, duhen të prononcohen në mënyrë konkrete se për cilën diasporë e kanë fjalën sepse ne ( pra diaspora shqiptare e Amerikës, me prejardhje nga trojet etnike shqiptare nën Mal të Zi), nuk kemi deklaruar përkrahjen tonë për ndonjë subjekt politik.Duhet të jemi të qartë se përkrahja eventuale e ndonjë individi apo disa individëve nga diaspora për ndonjë subjekt apo lider politik,nuk do të thotë në asnjë mënyrë edhe përkrahja e diasporës shqiptare.

Ne jemi të informuar që kohëve të fundit janë duke u zhvilluar biseda për zvogëlimin e partive politike dhe konsilidimin e faktorit politik në Malësi. Kjo na bën optimist dhe na inkurajon që të kontribojmë me kapacitetin tonë intelektual,moral dhe financiar në mbështetjen e çdo projekti që kontribuon në bashkimin e shqiptarëve në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë nën Mal të Zi. Apelojmë tek strukturat politike shqiptare që të ndryshohet mentaliteti dhe praktika e së kaluarës dhe që në të ardhmen t’ju afrohet më shumë hapësirë politike, (duke përfshirë edhe pozitat udhëheqëse),të rinjëve të arsimuar shqiptar dhe të shfrytëzohet energjia dhe kapaciteti i tyre intelektual për çështjen shqiptare në Mal të Zi.

Shpresojmë që apeli jonë do të ndikoj sa do pak në vullnetin dhe angazhimin tuaj serioz !”

 

Reagimi është nënshkruar nga:

Fondacioni Plave-Guci, Nju Jork,

Shoqata Atdhetare Malesia e Madhe – Detroit,

Shoqata Atdhetare Ana e Malit – Nju Jork,

Shoqata atdhetare Malesia e Madhe – Nju Jork,

Fondi humanitar Rapsha – Detroit,

Fondacioni Dom Simon – Nju Jork,

Shoqata Atdhetare Kraja- Nju Jork.