Dialogu Kosove-Serbi, arrihet marrëveshja, targave KS i zgjatet vlefshmëria pesë vjet

0

Është përmbyllur marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Me këtë marrëveshje, tabelave KS i është zgjatur validiteti edhe për pesë vite. Pas kësaj periudhe sërish do të diskutohet ndërmjet palëve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu palët janë pajtuar që tabelave t’u vendoset letërngjitëse e bardhë në pjesët relevante. Kjo pikë do të hyjë në fuqi nga 15 nëntori i këtij viti.
11 ore bisedime– Pas 11 orësh bisedime, sipas një njoftimi nga Dren Zeka, këshilltar i ministres për Dialog, Edita Tahiri, është përmbyllur marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, informon Zeri.info.
Ministrja Tahiri ka deklaruar se me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve. Sipas saj, çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës.
Tahiri ka thënë se kjo marrëveshje ishte arritur javën e kaluar dhe sot është rikonfirmuar edhe në dokumentin e shkruar të marrëveshjes. Sipas njoftimit, ajo vlerësoi se parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje dëshmon se marrëdhëniet fqinjësore në mes të dyja shteteve mund dhe duhet të përparojnë në frymën e reciprocitetit dhe gadishmërisë për normalizim sipas parimeve euro-atlantike.
“Poashtu, me këtë marrëveshje i jepet fund tabelave ilegale të automjeteve të cilat aty-këtu kanë qarkulluar në pjesën veriore të vendit tonë dhe ky proces do të realizohet në afatin e paraparë me këtë marrëveshje. Ministrja Edita Tahiri vlerësoi se heqja e tabelave ilegale nga qarkullimi është në funksion të sundimit të ligjit në këtë fushë si dhe i kontribuon integrimit të plotë të qytetarëve të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës. Kjo marrëveshje finalizon zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që është arritur në vitin 2011 në Bruksel”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja, thuhet tutje, konfirmon nisjen e punës së zyrave të gjendjes civile dhe të Agjencisë për Regjistrim Civil në katër komunat veriore që do të realizohet në nëntor 2016. Këto zyra do të pajisin qytetarët e asaj pjese me dokumentet shtetërore dhe të gjendjes civile të Republikës së Kosovës, duke mundësuar që të konsolidohet ky aspekt i sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës në veri të vendit të munguar që nga fundi i luftës.
Tahiri theksoi se arritja e kësaj marrëveshje dhe zbatimi i saj janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dyshteteve dhe me këtë rast ajo falënderoj Bashkimin Evropian për angazhimet për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshje.