Dezinformimi gazetaresk si metodë e njohur antishqiptare

0

Se profesionalizmi gazetaresk në Mal të Zi matet vetëm me “dorëdhënien” e sponzorëve është e qartë për cdokënd, por gazeta “Dan”, e cila megjithatë kurrë as nuk ka pasur një renome për tu lakmuar, po tenton të shkojë edhe më larg.

Ajo sot ka dalur me një artikull ku shkruhet se qytetarët e shqetësuar, në adresë të kësaj gazete, paskan dërguar foto ku shihen deponime të egra të mbeturinave në afërsi të derdhjes së lumit Buna.

E gjithë kjo nuk ka asgjë të keqe, sikur NP Veprimtaritë Komunale të mos kishin bërë pastrimin e këtyre deponive qysh ditën e merkurë, cka mund të kontrollohet lehtë nga profili i tyre në facebook.

Duket qartazi që artikulli është tepër joprofesional dhe tendencioz, dhe nuk është as i pari e as do të jetë i fundit nga një gazetë e njohur për qëndrime antishqiptare.

Sa për kujtesë, para disa viteve kjo gazetë doli me një artikull në të cilin shkruhej se lopët e Ulqinit paskan sidën (AIDS). Kuptohet që shkrimi ishte i qëllimshëm, ashtu si edhe mjaft  dezinformime tjera që kjo gazetë shkruan për Ulqinin dhe shqiptarët në përgjithësi.

Ajo cka mund të vërehet haptas është edhe “bashkëpunimi” i kësaj gazete me një portal të Ulqinit në gjuhën malazeze, i cili përkthehet edhe në gjuhën shqipe.

Sipas informatave të lajm.me, gazetari i “Dan” në Ulqin është edhe një prej themeluesve të këtij portali. Se për llogari të kujt punojnë nuk është e vështirë të kuptohet.