Dekorohet Mujo Cakuli Ulqinaku nga presidenti Nishani

0

Heroi i popullit Mujo Cakuli është dekoruar dje (pas vdekjes) nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, në një ceremoni të veçantë të organizuar në Pallatin e Brigadave figura dhe personalitete me kontribute të veçanta historike me rastin e 102-vjetorit të Pavarësisë.

Në këtë ceremoni solemne ishin të pranishëm Zëvendëskryetari i Kuvendit të Shqipërisë Edmond Spaho, Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetari i Opozitës, Luzim Basha, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Jeronim Bazo, Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, Ambasadori amerikan Alexander Arvizu, deputetë, rektorë universitetesh, akademikë, historianë nga trevat shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.

Kreu i Shtetit në shenjë vlerësimi dhe nderimi të përjetshëm për veprën atdhetare, ndihmesën vendimtare historike në ruajtjen e trojeve shqiptare dhe Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë vlerësoiIsa Boletinin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, ndërsa në vlerësim të lartë të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe përpjekjeve të pamohueshme e të pareshtura në shërbim të Shqipërisë së lirë demokratike si dhe në organizimin e rezistencës dhe kontributit në Luftën Antifashiste Abaz Kupin (pas vdekjes) me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, si dhe zotin Jonathan Moore për kontributin e veçantë në forcimin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndihmesën e çmuar, të dhënë në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri.

Presidenti Nishani i akordoi Dekoratën “Nderi i Kombit” zotit Matteo Mandalà duke vlerësuar lart veprimtarinë e tij të shquar akademike për të nxjerrë në pah vlerat kombëtarë në përgjithësi, si dhe ato kulturore e gjuhësore arbëreshe në veçanti; zotit Mark Krasniqi,  zotit Idriz Ajeti, zotit Ali Aliu duke vlerësuar lart veprimtarinë e tyre të shquar akademike, poetike për lartësimin e vlerave më të mira kombëtare; Ymer Dishnicën (pas vdekjes) në shenjë vlerësimi të veprimtarisë së shquar atdhetare, kontributit në Luftën Antifashiste si dhe në shërbim të idealeve demokratike për Shqipërinë e lirë dhe të pavarur; Hysni Lepenicën (pas vdekjes) për veprimtarinë e shquar atdhetare, kontributit në Luftën Antifashiste si dhe përpjekjeve të pamohueshme në shërbim të çështjes kombëtare; Safet Butkën (pas vdekjes) për përpjekjet e pamohueshme në shërbim të çështjes kombëtare, deri në sakrificën e madhe, duke dhënë jetën për Atdheun dhe idealet e lirisë; Mustafa Gjinishin (pas vdekjes) për veprimtarinë e shquar atdhetare si dhe përpjekjet e pamohueshme në shërbim të Shqipërisë së lirë demokratike, deri në martirizim.

Presidenti i Republikës vlerësoi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Mujo Ulqinakun (pas vdekjes)për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare dhe sakrificën heroike në mbrojtje të sovranitetit territorial, lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë; Qemal Stafën (pas vdekjes) në shenjë vlerësimi të lartë shtetëror të jetës, veprimtarisë së tij të shquar atdhetare e liridashëse, si dhe vetëmohimit e sakrificës së tij të madhe në shërbim të Shqipërisë së lirë demokratike.