Deklarata e Ramës ngjall reagime edhe në Mal të Zi

0

Deklarata e kryeministrit Edi Rama, se Shqipëria dhe Kosova do të detyrohen të bashkohen në mënyrë klasike nëse Europa vazhdon të izolojë Kosovën, ka ngjallur reagime të shumta në rajon.

Edhe në Mal të Zi, ku politikanët dhe populli nuk kanë asnjë problem tjetër të mbrendshëm (sarkazëm i autorit), i kanë kushtuar gjithë ditën e djeshme reagimeve ndaj kësaj deklarate ku Mali i Zi nuk përmendet fare.

Njëri nga pjestarët politik të Frontit Demokratik, Milan Knezheviq, e quan këtë deklaratë si tentativë për destabilizim të rajonit, kurse “analisti” Blagoje Grahovac është i mendimit se Mali i Zi duhet të shqetësohet për këto deklarata.

Të dyja këto figura të peshës së “rëndë” në skenën politike të Malit të Zi, i lidhin këto deklarata me shpalljen e Ramës dhe Thaçit për qytetarë nderi të Ulqinit. Bile, kërkojnë nga Vujanoviqi, Gjeka…etj, të distancohen nga deklaratat e Ramës, përndryshe do të cilësohen si bashkëpuntorë të Thaçit dhe Ramës.

Ajo çka bie në sy në gjithë këtë vorbull deklaratash, është kujdesi i madh që politikanët malazez kanë për deklaratat e zyrtarëve të shteteve tjera, edhe atëherë kur Mali i Zi nuk përmendet fare.

Do të ishte shumë më frytdhënëse nëse këto politikan do ta shpenzonin gjithë këtë energji të tepruar në zgjidhjen e problemeve interne të Malit të Zi, subjekteve politike ku aderojnë dhe popullit në përgjithsi, e jo të merren me problemet e shteteve tjeta.