Çapuni uron besimtarët me rastin e fillimit të muajit të madhërueshëm të Ramazanit

0

Qytetarë/e të nderuar/a

Sonte fillon muaji i bekuar i Ramazanit. Po fillon me njomësinë e beharit dhe shiut dhe do të përfundojë me shpirtin dhe trupin tonë të njomur.

Secilit nga ju, në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, ju uroj agjërim të lehtë e të pranuar, sofra të begata nga e cila do të rrjedhë mirësia për ju, për familjarët tuaj dhe për ata që janë në nevojë e të cilët nuk duhet t’i ushqejmë me shpresë, por me gjëra konkrete dhe me dinjitet.

Të vizitojmë njëri tjetrin, ta urojmë dhe ndihmojmë njëri tjetrin, t’ia lehtësojmë hallet kujtdo dhe të respektojmë secilin. Këtë e kanë bërë gjyshet e stërgjyshet tona dhe dëshmuar ne vetë, kur neve si fëmijë na është dhënë detyra që të transportojmë iftare të tëra bashkëqytetarëve në mënyrë anonime.

Sonte dua ta kujtoj edhe një qytetare tonën, një bijë të Stakajve që jetoi në Shtoj. Kjo fisnike e rrallë, një trimëreshë e pashoqe, vite me rradhë në ditët e para të Ramazanit ka mbushur shtrajcat me mish, miell, pemë dhe perime, ka ngarkuar kalin dhe është nisur drejt Ulqinit. I ka vizituar shumë shtëpi dhe ia ka begatuar sofrat me dhuratat e veta familjeve ulqinake.

Ne të gjithë jemi të etur për drejtësi, funksionim të drejtë të institucioneve dhe familjeve tona. Jemi të etur edhe për dinjitet dhe jemi të mbushur me mall për ata familjarët e shokët tanë që i kemi në mërgim. T’i kujtojmë edhe mërgimtarët, edhe të parët, edhe studentët, edhe qytetarët në lutje, për ta ndritur të kaluarën dhe bekuar të ardhmen.

Sinqerisht i juaji, Iliri