Bredhi i Vitit të Ri pret sezonin turistik

0

Tashmë pranvera ka shkelur edhe në qyteti tonë, duke sjellur ditë me diell dhe ngadalë na kujton se vera nuk është edhe aq larg sa dukej disa javë me parë. Nuk do të ishte çudi që njerëzit të kenë harruar fare për verën, konsideruar erërat, shirat dhe përmbytjet e kohëve të fundit, si dëshmi të fuqisë së natyrës dhe huqeve të saj. Por mjaftojnë disa ditë me diell dhe njerëzit turren drejt shëtitores në Ranë, të gëzuar që më në fund mund të shijojnë rrezet e diellit dhe pirjen e kafesë në ajër të pastër, e jo në ambiente ku pirja e duhanit (nuk) lejohet.

Por ja që kjo shkëputje nga dimri dhe gëzimi për afrimin e verës nuk është vetëm kënaqsi e njerëzve. Aty poshtë, si shtatore që mundohet të përkujtojë ndonjë datë historike, qëndron Bredhi i Vitit të Ri. Edhe pse i pa ndriçuar, ai shëndrit dhe djersitet nën rrezet e diellit. I lartë, madhështor…..dhe i shtrenjtë.

Por kjo nuk ka rëndësi. Ai e kreu detyrën e vet. Edhe më shumë bile. Ka gati 3 muaj që i paluhatshëm dhe stoik qëndron mu aty poshtë. Në Ranë. Nuk do tia dijë as për ujë, as erë, e as diell. Qëndron aty…dhe pret.

E cfarë tjetër të bëjë? Edhe ashtu askush nuk kujtohet për të. As ata që e sollën, e as ata që e paguan..

Nuk është se ka gojë të bërtasë e as këmbë të ecë. Po ti kishte me siguri do ta merrte mundimin ta bënte at copë rrugë deri tek ndërtesa e Komunës. Të trokasë nëpër dyer e të bërtasë :”O ju njerëz, e di që për mua s’u bëhet vonë. Keni mëshirë të paktën për gjithë ato para që dhatë për mua.”  Vetëm heshtje.

Por bredhi nuk jepet. Do qëndrojë ai aty edhe gjatë sezonit turistik. Të dëshmojë se kemi festuar Vitin e Ri, dhe të tregojë se është i zoti të presë gjerë vitin tjetër. E cfarë tjetër të bëjë?

Nuk është se dikush po kujtohet për të.

I mjerueshëm është fati i të harruarve.