Bastisja:Deklaratë skandaloze dhe përplot me të pavërteta e policisë

0

Në lidhje me bastisjen e policisë nëpër lokalet e Ulqinit të shtunën mbrëma, gjatë së cilës u dhunuan një numër qytetarësh, Drejtoria e policisë ka dalë me një deklaratë në mbrojtje të aksionit.

Ajo cka bie në sy është se deklarata është përplot me të pavërteta dhe për nga përmbajtja ofendon arsyen e shëndoshë.

Sipas policisë, arsyeja e parë e këtij aksioni është gjetja e personave që kanë dhunuar një punonjës policie në Ulqin.

Dhunimi i këtij polici ka ndodhur disa netë më herët nga persona që të gjithë, përfshirë edhe policinë, e dinin se kush janë dhe se ku mund të gjendeshin.

Pse policia nuk i ka arrestuar këta persona natën e ngjarjes, por i kërkon nëpër lokalet e Ulqinit disa netë më vonë?

Pse nuk i ka arrestuar në shtëpitë dhe lokalet e tyre, pasi të gjithë e dinin se kush janë?

Po sipas policisë, disa persona në kërkim që akuzohen për tentativë zhvatje parash nga një person nga Ulqini, dyshohet se fshihen në Ulqin.

Ku fshihen? Nëpër lokalet e mbushur përplot?

Nëse policia e din se kush janë këta persona, deklarata len të kuptohet se e dinë, atëherë pse në furgonin e tyre kanë marrë persona që nuk kanë lidhje fare me ngjarjen? Të njëjtit i kanë lënë të lirë vetëm pas pak minutave pasi i kanë marrë me vete, edhe pse identifikimi ishte bërë në vendngjarje.

Deklarata e policisë, e thurur në këtë mënyrë skandaloze dhe të cilën nuk do ta besonte as edhe një fëmijë shtatëvjecar, tregon qartë se aksioni nuk ishte kurrgjë tjetër vecse një demonstrim dhune, i kryer në mënyrë joprofesionale dhe diletante.

Fakti që Drejtoria e policisë po mundohet që topin ta hedh në terren politik tregon edhe më qartë mungesën e argumentave, pasi edhe ato e kanë të qartë se besueshmëria e deklaratave të tyre është tejet diskutabile.

Në këtë mes nuk dihet se cka duhet ta shqetësojë më shumë qytetarin; tejkalimi kronik i kompetencave nga ana e policisë në raste të tilla, apo tentativat nga ana e Drejtorisë që ato të mbulohen, qoftë edhe me deklarata skandaloze si ajo e djeshmja.