Autostrada Durrës-Nish: Përfiton vetëm Serbia?

0

Brenda dy javësh Shqipëria dhe Serbia do të firmosin protokollin për realizimin e projektit të autostradës Durrës – Nish. Firmat do të hidhen nga kryeministrat Rama e Vuciq. Ministrja serbe e Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq, duke e konfirmuar këtë lajm, tha për gazetën “Kurir” se “projekti i autostradës Nish-Merdare-Prishtinë-Tiranë-Durrës do të kushtojë rreth 1 miliard euro. Ajo ka saktësuar se projekti do t’i prezantohet në muajin gusht Vjenës, për financime. “Serbia dhe Shqipëria prej 6 muajsh janë duke punuar rreth kësaj dhe jemi duke i përgatitur projektet, të cilat dy kryeministrat do t’i prezantojnë në Vjenë, gjatë muajit gusht”.

Shqipëria dhe Kosova i kanë mbyllur punimet për ndërtimin e pjesëve të kësaj autostrade që kalon në territoret e dy vendeve. Rruga e Kombit Durrës – Morinë përfundoi nën mandatin e qeverisë Berisha. Segmenti Morinë – Merdarë përfundoi nën mandatin e Hashim Thaçit.

Të dy segmentet janë financuar me para nga buxhetet të dy vendeve, Shqipërisë e Kosovës. Serbia, pjesën e saj angazhohet ta ndërtojë me financim të BE –së. Nënshkrimi i protokollit mes kryeministrave Rama e Vuciq është në funksion të marrjes së këtij financimi.

Në prill të këtij viti Bashkimi Europian premtoi se do të japë 1 miliard euro për të mbështetur projektet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së rajonit, nëse vendet zhvillojnë projekte të përbashkëta.

Autostrada Durrës – Nish bëhet kështu projekti i përbashkët në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova i kanë ndërtuar pjesët e tyre me paratë e taksapaguesve të tyre.

Nga bashkëpunimi këtë rast përfiton vetëm Serbia. Shuma 1 miliard euro e premtuar nga BE për projektet e përbashkëta më 21 prill në Bruksel, do të shkojë vetëm për ndërtimin e pjesës serbe nga Nishi në Merdarë.
Shqipëria e Kosova nuk përfitojnë asgjë nga ky fond. Atë e pëfiton Serbia, me ndihmën dhe garancinë e dhënë nga kryeministri Edi Rama për ta pranuar atë si projekt të përbashkët.

Projekti për ta lidhur Rrugën e Kombit me Nishin është i kahershëm. Ai është përmendur disa herë nga Sali Berisha në mandatin e tij të parë si kryeministër, por Serbia nuk e pati konkretizuar idenë.

Serbia nga ky projekt përfiton dalje në det. Ajo po e trumbeton ndërtimin e segmentit të saj jo për faktin se siguroi dalje në Adriatik, pasi atë e ka patur edhe përmes Malit të Zi. Por më shumë mediatizimi i projektit i shërben marrjes së financimit nga BE.

Ndihma e Shqipërisë në këtë rast nuk po i mungon. Shqipëria nuk përfiton nga financimi i BE, por po e shfrytëzon këtë projekt politikisht. Edi Rama po e sheh si mundësi për t’u faktorizuar si politikan në dimensionin rajonal, pse jo edhe si akt me ndikim në fushatën elektorale.

Kryeministri Rama ka qenë një ndër zërat kritikë të Rrugës së Kombit.  Partia Demokratike i ka kujtuar disa herë se ai e konsideronte atë si “rrugë të asgjësë” dhe “rrugë të rrënimit të shqiptarëve”. Kritikat e tij ishin edhe për shkak të mungesës së fizibilietetit. Në rastin e zgjatimit të segmentit serb të autostradës Durrës – Nish ai mbështetjen po e ofron në parim edhe përse fizibiliteti nuk është kryer ende.

 

/lapsi.al/