Art Club – Dita Ndërkombëtare e Poezisë – Takim me poetin Hajredin Kovaçi 

0

Në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë të hënën u mbajt takim me poetin Hajredin Kovaçi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë (21 Marsit).
Takimi është konceptuar si njohje e nxënësve me krijimtarinë e këtij poeti, i cili edhe vetë ka qenë nxënës i shkollës në Katërkollë. Pas prezantimit dhe fjalës përshëndetëse të autorit, nxënësit kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre, bazuar në titujt e poezive të poetit, pastaj kanë recituar poezi të Kovaçit etj. Në vazhdim, poeti është përgjigjur në pyetjet e shumta dhe interesante të nxënësve, të cilët kanë shfaqur kureshtje për krijimtarinë e tij. Në fund të takimit, vetë poeti ka përzgjedhur krijimet dhe recitimet më të mira, autorët e të cilëve i ka shpërblyer me libra.

Në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, nxënësit dhe mësimdhënësit e pranishëm i ka përshëndetur kryetari i saj, Ismet Kallaba. 

Me këtë rast, “Art Club”-i i dhuroi një kontigjent të botimeve të tij Shkollës Fillore “Bedri Elezaga”, si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të bibliotekave të shkollave në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Takimi letrar është organizuar nga SHAI “Art Club” në bashkëpunim me Shkollën Fillore “Bedri Elezaga”. Ai është përgatitur nga mësimdhënësja e gjuhës shqipe dhe letërsisë, Zaime Çapriqi, dhe mësimdhënësit tjerë të kësaj shkolle.  

Që nga viti i kaluar, “Art Club”-i ka filluar projektin, ku krijuesit shqiptarë në Mal të Zi, anëtarë të kësaj shoqate, por edhe krijues të tjerë, vizitojnë shkollat shqipe në Mal të Zi duke organizuar takime dhe orë letrare me nxënës të këtyre shkollave me qëllim të rritjes së dashurisë ndaj letërsisë dhe nxitjes së interesimit të të rinjve për t’u marrë me letërsi.

 Ulqin, më 21. 03. 2017 ​ SHAI “Art Club”