“Art Club” boton përmbledhjen me novela “Në ‘Safari’” të shkrimtarit Asllan Bisha

0

Në kuadër të edicionit të botimeve të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, këto ditë ka dalë nga shtypi përmbledhja me novela “Në ‘Safari’” e shkrimtarit Asllan Bisha.

Libri përbëhet nga nëntë novela, të cilat trajtojnë në mënyrë letrare-artistike ngjarje të përjetuara nga autori, ku shpeshherë realja dhe jorealja ballafaqohen me njëra-tjetrën. Në disa novela, që janë vulë e kohës, pasqyrohen fatet e intelektualëve gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, ku personazhet janë të përndjekur sepse dyshohej se donin të shembnin sistemin e kohës. Por pothuajse të gjitha janë të lidhura me momente e përjetime të dashurisë. Në to ka edhe dashuri, edhe konspiracion, por edhe një vullnet për t’i tejkaluar problemet dhe për ta mundur të keqen. Për autorin, dashuria është ajo që e bën një vepër të pastër, të bukur dhe është terapi për ta sfiduar të keqen. Ky stil i karakterizon veprat letrare të Asllan Bishës, që e bën atë të veçantë si krijues.

Redaktor i librit është mr. Haxhi Shabani, recensent dr. Basri Çapriqi, lektor Ismet Kallaba, kopertina është punuar nga Marxhan Lamoja, kurse redaktor teknik është Gazmend Çitaku.

Libri është shtypur në Shtypshkronjën IVPE në Cetinë, ndërsa botimin e tij e ka mbështetur Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.

Asllan Bisha është autor i 13 veprave origjinale apo i gjithsej 17 librave, përfshirë ribotimet, përzgjedhjet dhe përkthimet. Ai shkruan kryesisht prozë për fëmijë dhe të rritur. Ka qenë korrespondent i gazetës “Rilindja” dhe i RTV të Kosovës, bashkëpunëtor i Radio Titogradit dhe i revistës “Koha”, ndërsa tani bashkëpunon me gazetën “Koha javore”. Po ashtu ka qenë kryeredaktor i revistës për fëmijë “Zana”. Ai është mbledhës folklori, autor punimesh nga ihtologjia (peshkimi) dhe i teksteve të këngëve për fëmijë dhe të rritur. Është njëri ndër përpiluesit e antologjisë “Dritaren lëre hapur”, si dhe është përfshirë në antologjinë “Putnici na putu” dhe përmbledhjen “Pet albanskih književnika u Crnoj Gori“. Disa nga krijimet e tij letrare janë përfshirë edhe në tekstet shkollore për shkollat në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 120 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

 

     Ulqin, më 02. 11. 2017                                                                        SHAI “Art Club”