“Art Club” boton librin “Gëzohuni fëmijë” të autores Lumnije Rexha – Bisha

0

Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, ditë më parë doli nga shtypi libri “Gëzohuni fëmijë” i autores Lumnije Rexha – Bisha. Ky është një libër didaktik për fëmijët e moshës parashkollore, ku ata nëpërmjet lojërave didaktike, vjershave, përrallëzave, labirinteve etj. mund t’i mësojnë më lehtë shkronjat dhe numrat.

Libri përbëhet nga 74 faqe dhe është i pajisur me ilustrime përkatëse për ta bërë sa më të kapshëm për fëmijët e moshës parashkollore.

Redaktor i librit është shkrimtari Asllan Bisha, recensente Gjylije Kurti, lektor Ismet Kallaba, konsulente Miranda Maniq, Jasmina Kroma, Elmadije Maraj, Esma Hasa dhe Almira Kroma, radhitës kompjuterik Shkelzen Bisha dhe redaktor teknik Gazmend Çitaku.

Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE në Cetinë, ndërsa botimi i tij është financuar nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

Lumnije Rexha – Bisha punon si edukatore në çerdhen e fëmijëve “Solidariteti” në Ulqin. Ky është libri i saj i tretë dhe përbën vazhdim të ciklit të librave të saj kushtuar fëmijëve: “Hapi krahët” dhe “Gjëegjëza, fjalë të urta”.

SHAI “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani mbi 100 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

        Ulqin, më 13. 08. 2015                                                                     SHAI “Art Club”