Arrestimi nga Serbia – Mitrovica kërkon lirimin e kryekomisarit Nehat Thaçi

0

Punëtorët e Administratës komunale të Mitrovicës, kanë kërkuar lirimin e eprorit të Policisë, Nehat Thaçit.

Një numër i madh i punëtorëve të Administratës komunale të Mitrovicës, kanë protestuar sot për 15 minuta para objektit të tyre kundër, siç thanë ata, mbajtjes së padrejtë në paraburgim të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Ata kërkuan lirimin e tij të menjëhershëm nga burgu i Nishit të Serbisë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se drejtori Thaçi, i cili po mbahet padrejtësisht në burg, duhet të lirohet menjëherë, derisa ka sugjeruar edhe ndërprerjen e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Ndryshe, drejtori i Policisë, Nehat Thaçi, u arrestua të mërkurën e kaluar në hyrje të Serbisë nga pika kufitare “Dheu i Bardhë”, pas një urdhri të lëshuar nga Gjykata e Lartë në Nish të Serbisë, nën akuza për terrorizëm.