Ana e Malit si poligon për kusurimet politike

1

Me afrimin e fundvitit afrohet ngadalë edhe periudha e festave, periudhë e cila për ne shqiptarët rastësisht fillon pothuajse në një kohë të përafërt me atë amerikane.
Gjersa ato merren me zgjedhjen e kostumeve për Halloween, ne fillojmë përgaditjet për festën më të madhe kombëtare, atë të pavarsisë, ose sic shpesh kemi dëshirë ta quajm, festën e flamurit.

Të gjitha këto përgaditje, si për ne që jetojmë në shtetin amë dhe përreth, si për ato që me kohë janë larguar për një jetë më të mirë, na japin shpresë se të paktën këto ditë mund ti presim pa u ndjekur nga rivalitetet politiko-ditore aq të zakonshme për popullin tonë.

Vetëm shpresë kuptohet, pasi në realitet gjërat qëndrojnë komplet ndryshe. Shpejt hunda pinokiane e politikës do ti tejkalojë festat kombëtare e fetare, dhe do të arrijë në terrenin më të ndjeshëm njerzor, atë familjar.
Nuk është cudi që së shpejti të kemi edhe martesa me “ideale politike” si qëmoti, apo divorce me arsyetimin e “papërshtatmërisë partiake”.
Kjo dramë e ralitetit vendas ka kohë që ka kapluar sferat e tjera të jetës shoqërore, në të cilat arti dhe kultura përbëjnë pjesën më të ndjeshme.
Këto ditë shoqata e mirënjohur kulturoro-artistike “Tradita” nga Ana e Malit, e cila me vite po shpalos me mjaft sukses vlerat folklorike të kësaj treve, do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të diasporës sonë do të marrë pjesë në aktivitetet që po organizohen për ditën e flamurit.
Pas gjithë sukseseve që kjo shoqatë ka korrur në festivalet më prestigjioze të Ballkanit, “Tradita” pa ndrojtje ka kredenciale të plota të përfaqësojë folklorin e një kombi të tërë e jo vetëm të një treve të vogël si Ana e Malit.
Por jo të gjithë kanë këtë mendim. Drejt Amerikës këto ditë do të udhëtojnë edhe shoqata tjera, po nga Ana e Malit, dhe po me të njëjtat arsye si “Tradita”, por jo me të njëjtin qëllim.
Nuk mund të ketë tepricë të promovimit të folklorit të një treve, aq më pak para diasporës sonë për të cilën malli për vendlindjen lidhet ngushtë me kulturën dhe folklorin.
Por njeriu nuk ka se si hesht, as kthejë kokën anash, ndaj tentativave meskine të disa politikanëve vendas ( dhe oborrtarëve të tyre), që të shfrytëzojnë entuziazmin rinor, sakrificën e më të moshuarve, dhe vullnetin e një treve të tërë, vetëm për dy poena politik që zor se do të kenë mirënjohje politike, e aq më pak njerzore.
Nuk ka as se si të jetë ndryshe, kur me cdo kusht, politikanët vendas po mundohen që diasporës sonë ti përcjellin mesazhin se gjoja “Tradita” nuk mjafton ( ose nuk qenka e denjë?!) të përfaqsojë folklorin e Anës së Malit. Dhe për këtë duhet që atje të shkojnë edhe tjerë, të tregojnë atë pjesën tjetër të folklorit?! Apo politikës?
Jo se dikujt duhet ti ndalohet mundësia e promovimit të qëllimeve të veta, por ky “vrapim” pas “Traditës” ka filluar të degradojë dhe përul pikërisht Anën e Malit dhe vlerat e saja folklorike, pa përmendur marrëdhëniet njerzore.
Dhe pse pikërisht “Tradita”?
Mos është gjë organizatë politike? A pyetën antarët e saj se në cilën parti janë të antarsuar apo për kë votojnë? A nuk përbëhet nga njerëz të dhënë kryekëput pas promovimit të kulturës së Anës Malit dhe jo politikave ditore?
Ndoshta ky është edhe problemi. Sikur “Tradita” të merrej me politikë dhe të kishte nevojën e politikanëve nuk do të “bridhnin” aq shumë pas saj. Do të kujtoheshin për të vetëm në promovimet politike.
Por fatmirsisht (ose fatkeqësisht për disa), kjo shoqatë nuk ka nevojën e tyre. Edhe kur duhet të prezantohet në Shqipëri, Europë apo SHBA, ato arrijnë të sigurojnë mjetet financiare pa ndihmën e politikanëve dhe nevojën e qasjes ndaj tyre.
Për këtë ajo edhe luftohet prej tyre. Sepse nuk i përshtatet politikëbërjes dhe kontrollit të tyre. Dhe për politikanët një gjë që nuk kontrollohet duhet të luftohet. Kjo është gjithsesi shenjë e kalbjes së veprimtarisë së tyre politike, për të cilën ato akoma nuk janë të vetëdijshëm.
“Tradita”, pa asnjë dyshim, do të jetë prezente në skenën kulturoro-artistike të shqiptarëve në Mal të Zi (dhe më gjërë) me vite, pse jo edhe me dekada, kurse shoqatat e tjera vështirë se do ti shohim pas përfundimit të mbështetjes dhe financimit nga politika. Nga ato do të mbesë vetëm shija e hidhur e meskinizmit politik i kamufluar me inatet dhe aspiratat personale. Kjo është tragjike.
Dhe humbësi kryesor në gjithë këtë është Ana e Malit.

1 Koment

Comments are closed.