Ali Salaj: Forma aristoteliane e dashurisë (Me rastin e vdekjes së shkrimtarit të njohur Umberto Eco)

0

Ekranizimi i veprës letrare është një punë e vështirë. Nëse veprës letrare me strukturë të ndërlikuar ( metaforat poetike, ritmi romanesk, krijimi i situatave dramaturgjike dhe dialogu) regjisori nuk di t’i qaset në mënyrë të duhur, atëherë shumëçka nga iluzioni dhe prosedeu i shkrimit do të prishet para syrit të shikuesit. Raste të këtilla, ku strukturimi i tekstit ekranizohet nën nivelin e  të shprehurit kemi mjaft në artin kinematografik, duke nisur nga ekranizimi i veprave të Tolstoit, Hemingueit, Kadaresë etj. Vetëm në ish Bashkimin Sovjetik janë realizuar 30 ekranizime të veprave të Tolstoit, ku gati të gjitha ishin realizime të dobëta dhe sot janë filma që mbeten në harresë.

Në shumë vepra kinematografike regjisorët u përqendruan vetëm pas konceptit të veprës, duke shtrirë mundësinë që vepra e shkruar të flasë përmes ritmit të gjuhës filmike. Në këtë mënyrë strukturimi artistik vihet në kontekste të reja, karakteristike për gjuhën filmike duke i dhënë një ngarkim të ri kuptimor, figurativ dhe vizuel. Për këtë në fillim të filmit “Emri i trëndafilit” ravijëzohet  se filmi është palipsest i romanit me të njëjtin emër të shkrimtarit dhe profesorit të njohur të Universitetit të Bolonjës, Umberto Eco. Me këtë regjisori i arsyetoi figurat konceptuale që i dalin në film por duke sinjalizuar edhe për drojen e vet se filmi mund të jetë nën nivelin e veprës së Ecos. Regjisori është i vetëdijshëm se shkrimtari ka një qasje misionare të përkryer të dijes dhe qytetërimit perëndimor, të cilën gjë është e pamundur ta shkrijë në një vepër kinematografike.

Filmi “Emri i trëndafilit” ka dy shtrirje paralele. Shtrirja e parë ndërtohet mbi bazat e trillerit gjë që e zbehë tërësinë e filmit. Duke e rikrijuar fabulën e romanit regjisori trajton zhanrin e filmit kriminalistik me tension të brendshëm dhe me portretizimin e tipave të kriminelëve, që para së gjithash është përpjekje për t’iu afruar filmit komercial.

Mirëpo, në shtrirjen e dytë gjendet qenësia e këtij filmi që kap raportin e përjetshëm ndërmjet dogmatizmit dhe renesansës. Edhepse kjo parabollë nxitet nga kohërat e kaluara, pikërisht nga shekulli 14 e që është koha e Inkuizicionit, ku çdo ide përparimtare trajtohej si heretike, ajo megjithatë ndërtohet mbi problemet bashkëkohore. Këtu edhe qendron vlera  e filmit ku riaktualizon dhe rithekson problemet në shoqërinë njerëzore të të gjitha kohërave.

Frati anglez Uiliam i Baskeruilit, të cilin e karakterizon fuqia mendore, lufton kundër mbretërisë së errësirës. Ky njeri i Renesansës vë një dialog të ri me botën, kurse entuziazmi dhe dëshira për të fituar, është e fuqishme edhe atëherë kur nuk duken kushtet e përshtatshme dhe shpresëdhënëse. Prandaj përpjekjet e tij janë gjithmonë në ankth dhe të rrezikuara nga rrethi. Në fund ai ngadhnjen ndaj zjarrit me çrast shpëton “Poetikën” e Aristotelit, e cila njerëzimit mbase do t’ia kthejë të qeshurën dhe humanizmin. Mirëpo ky moment megjithatë nënkuptohet si humbje e madhe për njerëzimin.

Pikërisht me këtë skenë nënkuptohet humbja e përhershme e pjesës së dytë të “Poetikës” së Aristotelit ku supozohet se do ta ketë trajtuar më gjatë humorin dhe të qeshurën. Ky simbol përkufizohet si proces i kërkimit dhe krijimit të artit, të një arti që krijohet me përkushtim të madh e flijim. Djegia e librit në zjarr mund të kuptohet edhe si shprishje shpirtërore, e cila nuk do të rindërtohet në asnjë kohë, por përkundrazi në kohët e reja do të sjellë tragjedinë më të madhe. Këtu qëndron edhe poenta kryesore e filmit që në romanin e Ecos ka një funksion dominues. Derisa në libër forma aristoteliane objektivisht ndahet nga ngjarja që krijon humorin, në film ky element gjendet në plan të dytë, në disa raste edhe është harruar.

Regjisori Zhak Zhan Ano edhe përmes kuadrit krijon simbole. Përmes kuadrove të errëta, ku dominon guri i ftohtë, lagështia dhe mjegulla bëhet përpjekje për të kapur situatën jetësore në një mjedis të padurueshëm dhe plot ankth dhe tmerr. Në një gjendje të këtillë, ku çdo kuadër e mundon imagjinatën, dashuria e etshme e dy të rinjve, frati i ri me vashën e uritur, është një intermexo e shkëlqyer filmike, e cila megjithatë sugjeron disa aroma të dashurisë apo siç i quan Eco “aroma të trëndafilit”.