Afera Canka: Loro Nrekiqi i DPS-it i del në mbrojtje Cankës

0

Pas bërjes së publike të vendimit të Gjykatës Ekonomike që  ndaloi tentativën për marrjen e paligjshme të mjeteve financiare në dëm të Komunës së Ulqinit nga “UL Info” e Mustafë Cankës, në mbrojtje të tij deklarohet Loro Nrekiq. Kryetari i Kuvendit komunal të Ulqinit  që është njëherazi edhe kryetar DPS-it për Ulqinin ka dhënë një deklaratë sot për portalin e Cankës, Ul Info, Z. Nrekiq ku shprehet se “Unë ato i kam nënshkruar dhe kam kërkuar nga kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu që ato të paguhen.”.

Kjo deklaratë e tij del në kundërshtim me vendimin IP nr. 1445/17 të Gjykatës Ekonomike të Podgoricës pasi në këtë vendim thuhet shprehimisht se këto fatura janë shqyrtuar dhe janë konsideruar fiktive. Sipas gjykatës faturat nuk rezultojnë të pranuara dhe të evidentuara dhe nuk ka asnjë nënshkrim apo kontratë që të dëshmojë se ka pasur ndonjë marrëveshje për shërbimet që iu faturuan buxhetit të Komunës së Ulqinit prej Mustafë Cankës. Pra gjykata  gjatë procesit i ka shqyrtuar tanimë faturat e lëshuara prej Cankës dhe nuk ka gjetur nënshkrime të tjera përveç nënshkrimit të tij.

Po ashtu Loro Nrekiq nuk sqaron në deklaratën e tij se për çfarë shërbimesh bëhet fjalë konkretisht.

Deklarata e Nrekiqit erdhi pas reagimit të vetë Cankës i cili shkroi në portalin e tij se “E dinë ato mirë që çdo faturë, çdo muaj, iu dorëzua personalisht atyre të cilët porositën shërbimet dhe me të cilët u kontraktuan ato.” Ajo që ngelet e paqartë nga kjo situatë është se perse lideri lokal i DPS-it i del në mbrojtje Cankës duke folur kundër një vendimi të formës së prerë të Gjykatës Ekonomike të Podgoricës ndërkohë që Canka njihet si bashkëthemelues i partive të opozitës malazeze, Pozitivna Crna Gora dhe URA. Nga ana tjetër, në kumtesën e nxjerrë për shtyp prej Komunës së Ulqinit për aferën Canka, është deklaruar se komuna  do i dërgojë dokumentet në prokurori  pasi ato fatura fiktive përmbajnë elemente të mashtrimit të dënueshme nga kodi penal. Kjo lë të kuptohet se kjo çështje nuk ka për t’u mbyllur sot por ka për të vazhduar gjatë.