Afera Canka: Ja faturat me të cilat mashtroi.

0

Komuna e Ulqinit sot doli me një kumtesë të re lidhur me aferën Canka dhe vendimin e marrë nga gjykata kundër tij.   Kjo kumtesë vjen pas deklaratës së Cankës në të cilën ai u përpoq të shfajësohej dhe konsideronte gjykatën dhe komunën si mashtruese. Bashkë me këtë kumtesë komuna bën publike edhe faturat e dërguara nga Canka në emër të UL Info me shkresën e 2.11.2017. Sikurse shihet edhe nga faturat e mëposhtme asnjëra prej tyre nuk është e protokolluar dhe e nënshkruar nga ndonjë person tjetër përveç Mustafë Cankës. Mbështetur pikërisht në këto evidenca, Gjykata Ekonomike në Podgoricë ndaloi tentativën Cankës  për  të marrë në mënyrë të paligjshme 4.546 euro nga fondet e Komunës së Ulqinit.

Kjo kumtesë dhe faktet e pakundërshtueshme të nxjerra nga Komuna e Ulqinit demantojnë edhe deklaratën e djeshme të Kryetarit të Kuvendit komunal të Ulqinit  që është edhe kryetar  i DPS-it për Ulqinin. Loro Nrekiqit. Ky i fundit dje u deklarua se “Unë ato i kam nënshkruar dhe kam kërkuar nga kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu që ato të paguhen” ndërkohë që në asnjë prej këtyre faturave nuk shihet nënshkrimi i Nrekiqit. Për sa i përket përpjekjeve për të manipuluar me faktet, kumtesa në fjalë e komunës thotë shprehimisht se “ çdo tentativë eventuale e përmirësimit, arkivimit, nënshkrimit dhe protokollimit të këtyre faturave do të trajtohet si falsifikim, dhe për këtë do të njoftojmë prokurorin përkatës”.

Dalja e aferës Canka lë të kuptohet se sulmet e njëpasnjëshme dhe komentet e shumta negative që ka bërë ai ndaj kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe vetë punës së komunës, janë bërë si presion për të aprovuar pagesën e faturave fiktive që ai ka paraqitur. Mirëpo pasi Cungu nuk i është dorëzuar presioneve mediatike, Canka i është drejtuar përmbaruesit publik, veprimin e të cilit e shfuqizoi Gjykata Ekonomike me vendimin IP nr. 1445/17. Redaksia e portalit Lajm.me u vu në kontakt me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Z Nazif Cungu, duke kërkuar një reagim prej tij lidhur me këtë aferë. Z Cungu u përgjigj se e shikon të panevojshme që të komentojë mbi një çështje për të cilën tanimë ka një vendim të formës së prerë të institucioneve shtetërore të drejtësisë. Ai shtoi se në punën e tij në krye të komunës ai do të vazhdojë të punojnë me ndershmëri në përputhje të plotë me ligjin pa u shqetësuar për presionet mediatike apo të formave të tjera që vijnë nga jashtë komunës.