Ada e Bunës: Të Mirat Detare mbledhin taksa nga objektet ilegale

0

Në mbledhjen e Këshillit për Antikorrupsion, të inicuar nga kryetari i Pozitivnës Darko Pajoviq dhe ku ishin të thirrur ministri i turizmit Branimir Gvozdenoviq dhe drejtori i të Mirave Detare Rajko Baroviq, u diskutua për objektet e përkohëshme në Adën e Bunës dhe mbledhjen e taksave nga kjo ndërmarrje, raportojnë mediat malazeze.

Sipas aktivistit të MANS, Dejan Milovac, të Mirat Detare kanë katër vjet që vjelin taksa në mënyrë të paligjshme nga objektet ilegale në këtë zonë, dhe se një pjesë e mjeteve nuk investohen në komunat ku ato mblidhen. Ai tha se MANS ka paraqitur një mori akuzash pranë organeve përkatëse kundër atyre që kanë mundësur ndërtimin e këtyre objekteve, si EEMZ, policia, inspektoratët, por pa sukses.

“Tregoni një shembull ku shteti mbledh taksa nga objektet ilegale” , tha Milovac.

Ai shtoi se investigimet kanë treguar se në vitin 2010 në Adë ka pasur 440 objekte të përkohëshme, kurse të Mirat Detare në vitin 2012/2013 kanë nëshkruar kontrata me 657 prej tyre. Gjatë kësaj kohe në këtë zonë janë planifikuar vetëm 40 objekte të reja, cka do të thotë se të tjerët janë ilegal.

Kryetari i Pozitivnës Darko Pajoviq, tha se për gjendjen kaotike në Adë dikush duhet të përgjigjet.

“Nuk është e qartë se si kjo ndërmarrje ka shpenzuar 2.3 milionë euro vetëm për marketing dhe reklamë.” , tha në mes tjerash Pajoviq.

Drejtori i të Mirave Detare Rajko Baroviq u mbrojt se kjo ndërmarrje nuk ka shërbim policor që të kontrollojë ndërtimet ilegale, por nuk u deklarua në lidhj me taksimin e palighshëm. Sipas tij, taksimi bëhet sipas katalogut të përpiluar nga qeveria e Malit të Zi.

Ministri Gvozdenoviq nga ana e tij tha se ka nevojë për përmirsim të kuadrit ligjor në këtë drejtim, pasi ai aktual është në fuqi nga viti 1992.

Sipas deputetit të FD Koca Pavloviq, devastimi i Adës është pasqyrë e gjendjes së përgjithshme në Mal të Zi, dhe se nevojitet kycja e Prokurorit të Përgjithshëm.