9000 euro për Muzeun e Ulqinit

0

Të premten e kaluar, në hapësirat e Muzeut të Ulqinit, u mbajt takimi ndërmjet palëve përfaqësusese të projektit ndërkufitar Shqipëri – Mal i Zi, i financuar nga Bashkimi Evropian për “Përhapjen e Internetit në Bjeshkët e Nemuna” , (”Promoting Connectivity of Internet Broadband in the Accursed Mountain Border Area”). Përveç përfaqësuesve të Ministrisë për Shoqërinë Informative dhe Telekomunikime të Malit të Zi, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit: Arsllan Hajdinaga, Qemal Hidrio dhe Teuta Mehmeti.

 

Nga shuma e përgjithshme e këtij projekti që është 18 mijë euro, nga e cila do të mbulohen një seri aktivitetesh të parapara në projekt, një pjesë do të planifikohet për mbulimin e nevojave elementare që kanë të bëjnë me avancimin teknologjik të Muzeut të Ulqinit.

 

Nga përfaqësuesit e Komunës së Ulqinit u parashtruan një seri kërkesash që do të kishin rol kyç në ruajtjen e pasurisë kulturore të ekspozuar në Muzeun e Ulqinit. Duhet të  bëhet “digjitalizimi i eksponateve dhe dokumetacionit përcjellës dhë krijimi i një databaze ku do të ruhet materiali ekzistues dhe sipas nevojës të vihet në shërbim të hulumtimeve” theksoi Teuta Mehmeti nga Qendra për Sistem të Informacionit. Gjithashtu implementimi i audio guidave sikurse në muzetë e tjerë botërorë do të ishte sistem që do të modernizonte Muzeun e Ulqinit.

 

Për realizimin e një pjese të propozimeve është i nevojshëm rialokimi i buxhetit të projektit në fjalë, me ç’rast shuma e paraparë do të rritet, por kjo mbetet të inicohet nga përfaqësuesit e Ministrisë për Shoqërinë Informative dhe Telekomunikime të Malit të Zi.

Në muajt në vijim do pritet që të precizohen detajet dhe modalitetet e implementimit të kësaj pjese të projektit, ku së shpejti do shfaqen edhe rezultate të prekshme.