25 vjetori i rënies së Murit të Berlinit përkujtohet në mënyrë gjeniale (foto)

0

Për të shënuar 25 vite nga rënia e murit të Berlinit, me anë të një projekti arti, do të rikrijohet përsëri muri historik i cili në atë kohë e ndau kryeqytetin e Gjermanisë në Berlinin perëndimor dhe lindor. Sipas projektit të quajtur “Lichtgrenze”, do të instalohen 8000 tullumbace të bardha të ndritshme. Ky kufi i përbërë nga dritat, që do të jenë të të njëjtës lartësi me atë të murit, do të jetë 15 km i gjatë dhe do shtrihet në të njëjtin vend ku ishte i ndërtuar muri, që për qëllim ka rigjurmimin e tij, pasi që në disa pjesë të qytetit këto gjurmë janë fshirë.

Projekti do të realizohet nga data 7 deri më 9 nëntor, që shënon periudhën e rënies së murit të Berlinit. Në natën e 9 nëntorit, përderisa në prapaskenë do lëshohet Simfonia e 9 e Bethovenit, tullumbacet do të lëshohen në qiell dhe secila prej tyre do të ketë të bashkangjitur nga një mesazh domethënës.

Përveç këtij projekti, gjatë ditëve që shënojnë 25 vjetorin e rënies së murit të Berlinit, do ketë edhe programe tjera interaktive të hapura për publikun, si hapja e ekspozitës së përhershme dhe filma të shkurtër nga kjo periudhë historike.

Kufiri i dritave do të kalojë afër monumenteve të famshme të Berlinit, duke përfshirë Portën e Brandenburgut, ndërtesës së parlamentit, Potsdamer Platz dhe Checkpoint Charlie. Instalimi do të realizohet nga studioja për dizajne interaktive WhiteVoid dhe studioja filmike Bauderfilm.