2 Korrik 1990, hapi i parë në rrugën e shtetësisë së Kosovës

0

Si sot para 25 vjetësh delegatët e legjistraturës së Kuvendit të atëherëshëm të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, me të cilën u vunë bazat e shtetit të Kosovës.

Një vit më parë u suprimua me forcë rregullimi kushtetues i Kosovës nga ana e regjimit të Millosheviqit, e cila deri atëherë ishte një nga tetë njësitë e barabarta të federatës së atëhershme jugosllave. Regjimi i Beogradit pas fushatës histerike disvjeçare antishqiptare, me ndihmën e tankeve e shuajti autonominë që gëzonte Kosova, duke filluar serbizimin e Kosovës dhe në të njejtën kohë duke i bërë shqiptarët qytetarë të rendit të dytë.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm më 2 korrik të vitit 1990 shpallën Deklaratën Kushtetuese me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Në atë kohë në Kosovë vepronte një lëvizje e fuqishme demokratike shtetformuese në krye me LDK-në. Ishte kjo koha kur në horizont tashmë dukej shpërbërja e RSFJ-së si krijesë artificiale krjtësisht antishqiptare, e dominuar nga serbët.

Dy muaj më vonë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës me çka edhe formalisht Kosova u shpall Republikë në kuadër të federatës jugosllave.

Por Serbia, fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet, duke filluar nga Kuvendi e Këshill Ekzekutiv i tij e deri te të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore. Së pari Serbia pushtoi me dhunë RTV e “Rilindjen” duke vazhduar edhe me të gjitha insitucionet e tjera vitale të Kosovës.

Një viti më vonë, në shtator të vitit 1991, populli i Kosovës me referendum shpalli Kosovën shtet të pavarur, si rrjedhojë e proceseve të pandalshme të shpërbërjes së RSFJ-së, nga e cila po shkëputeshin një nga një republikat e atëhershme jugosllave, përveç Serbisë e Malit të Zi.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 shënon pikënisjen e shtetësisë së Kosovës, që do të shpiejë deri në ditët e sotme, kur Kosova më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë formale si shtet i pavarur dhe sovran.

Ndërkaq, sot, po kaq kurajoz dhe i vendosur, populli i Kosovës duhet të dëshmohet edhe në ndërtimin demokratik dhe në zhvillimin shoqëror e ekonomik të vendit. Por, jo të gjithë janë të vendosur për këtë rrugë. Nuk janë të paktë ata që abuzojnë me lirinë dhe pavarësinë… Ka krim e korrupsion. Është në rritje edhe numri i atyre janë mes shpresës së madhe për ditë më të lumtura dhe rezignacionit!

 

 

 

/illyriapress.com/