16 vjet nga masakra në Reçak

0

Sot janë bërë 16 vjet që kur forcat ushtarake dhje policore serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë në Reçak, ngjarje kjo që tronditi botën, pasi shefi i Misionit të OSBE-së, asokohe William Walker, tha se Serbia po bën masakra në Kosovë. E vërteta doli në shesh dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore, e cila u mobilizuan për çështjen e Kosovës.

Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Millosheviqit.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çdo t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orëshe mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionar dhe diplomat të botës. Diplomacia botërore mobilizohet për Kosovën, ndërkaq Beogradi planifikonte ta masakronte popullin shqiptar si shumë herë të tjera, fshehurazi syve të botës.

Në 16 vjetorin e kësaj masakre në Reçak do të qëndrojë kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ku do të bëjë homazhe në kompleksin memorial.