Komuna e Ulqinit: Të gatshëm të luftojmë korrupsionin!

0

Qendra për edukimin qytetarë në bashkëpunim me OJQ – Banum nga Plevla, Inkubator nga  Kotorri dhe Qendra për gazetari investigative nga Podgorica të cilët me mbështetje të BE janë  duke realizuar projektin “Mendo lokalisht –Vepro lokalisht! – Lufta kundër korrupcionit në nivelin lokal”, në kuadër të vizitave që përfaqësuesit e këtyre shoqatave janë duke bërë në qytetet e Malit të Zi, sot qëndruan  për një vizitë  pune në Ulqin, ku u pritën nga kryetari Nazif Cungu dhe bashkëpunëtorët e tij.

Boris Mariq, nga Qendra për edukim tha që projekti i cili do të zgjas një vit e gjysëm ka për qëllim të ndihmojë zhvillimin e  pjesëmarrjes së shoqatave civile në aplikimin e politikës së  antikorrupsionit, nëpërmes monitorimit, raportimit dhe mbikqyrjes së aktiviteteve në nivel lokal në Mal të Zi, por kryesorja është që qytetari ta përjetësojë si gjënë e tij atë se çfarë ndodh  përreth.

Nga ana tjetër kryetari Cungu rikonfirmoi gatishmërinë për të luftuar dhe çrrënjosur korrupsionin. Ai paralajmëroi transparencë dhe llogaridhënie për secilin sekretariat dhe shërbim dhe tha se Qendra për Informim që funksionon në kuadër të komunës tonë do të pajiset me aparatura të tjera moderne të cilat do ti kontribuojnë luftës së  korrupsionit.

Në takim bashkëpunëtorët e kryetarit Cungu njoftuan me aktivitetet që janë bërë deri tani, ndërsa u zgjodhën nënkryetarja Gjoni dhe drejtoresha e Qendrës për Informim Teuta Mehemeti që të jenë në kontakte të vazhdueshme me implementuesit e projektit.