Papërgjegjësia njerzore nuk ka kufij: Mbyllin kanalin, rrezikojnë përmbytje

0

Disa pjesë të Ulqinit, në këto dhjetë vitet e fundit, përmbytën gati çdo vit. Shkaku kryesor, siç thonë vetë të dëmtuarit, por edhe organet kompetente lokale, janë rrjeti i amortizuar i kanalizimit dhe ndikimet e papërgjegjëshme të qytetarëve në ngushtimin, e shpesh, edhe në mbylljen komplet të kanaleve. Pasojat, siç tashmë i kemi parë të gjithë, janë tragjike. Rrugë, oborre, lokale, e në shumë raste edhe shtëpi të përmbytura, ku dëmet arrijnë shifra kolosale për familjet e goditura.

Pas mbylljes së këtyre dy kanaleve pas megamarket Solaris, do të mjaftojnë vetëm reshje të moderuara shiu, që të shkaktojnë përmbytje të zonave të ulta që ndodhen aty afër. Dhe kjo nuk është  e gjitha, mbyllja e kanalit do të ndikojë edhe në rritjen e rrezikut për përmbytjen e zonave tjera, si atyre përreth, ashtur edhe atyre që ndodhen në qendër të qytetit.

Ndërtuesit e objekteve që kanë mbyllur kanalin janë kompania “Okov” dhe një investitor nga Rozhaja, të cilët rrezikojnë edhe përmbytjen e objekteve të tyre.

 

Megjithë përmbytjet e vazhdueshme dhe luftën disavjeçare me ujin, banorët kanë edhe probleme tjera. Përkrahja e organeve kompetente lokale është pothuajse inekzistente. Përveç tolerancës ndaj ndërtimeve leje e pa leje që shkaktojnë mbylljen e kanaleve, ato nuk paguajnë as dëmshpërblimin për dëmet kolosale që përmbytjet u kanë shkaktuar këtyre familjeve.

E derisa organet e pushtetit lokal hedhin përgjegjësi nga njërit tek tjetri, mbyllja e kanaleve vazhdon, e njëkohësisht rritet edhe rreziku për pëmbytje të reja.