Forca: Gjeka të japë dorëheqjen dhe ti hap rrugë shpenzimeve ligjore të buxhetit

0

      Kumtesë për opinion

 

Të nderuar qytetarë dhe të punësuar në organet e pushtetitl lokal dhe ndërmarrjet publike,

Do të ishte kënaqësi më e madhe për mua sikur sot të dilja para jush vetëm me një urim me rastin e Vitit të Ri.  Por, sot e kam të vështirë sepse jemi të shqetësuar me faktin se shumë familjeve në qytetin tonë u është mohuar e drejta për pagesën e të paktën një rroge para festës së Vitit të Ri.

Të gjithë jemi dëshmitar të gjendjes së rëndë të krijuar në lidhje me realizimin e kredisë, e cila është pjesë e Planit të sanimit për Komunën e Ulqinit. Kaosi, me sa duket, është një gjendje që mësë miri i përshtatet kryetarit Gjeka. Me një udhëhqeqje të dobët të Komunës, sidomos në pjesën e realizimit të buxhetit nëpërmjet shpenzimeve të pakontrolluara dhe të padrejta, veten dhe Komunën e ka vendosur para një situate të pashpresë.

Si njerëz të përgjegjshëm, duhet të jemi të hapur deri në fund me qytetarët, edhe pse e vërteta ndonjëherë është e vështirë të thuhet. Por për këtë na detyron përkrahja masive që populli na ka dhënë gjatë viteve të kaluara.

Ditëve të fundit jeni dëshmitarë të mosmarrveshjeve që ekzistojnë në mes subjekteve politike të cilët përbëjnë pushtetin në Komunën e Ulqinit. Me siguri edhe ju e pyesni veten se si është e mundur që Vitin e Ri e presim në një atmosferë pasigurie dhe me shumë pak shpresë që viti i ardhshëm të jetë më i mirë.

Si mund të shpresohet për një vit më të mirë kur në krye të Komunës ndodhet personi e cila për dy vite, në kundërshtim me atë çka i jepte të drejtë Kuvendi Komunal, me nënshkrimin e vet ka shpenzuar për ambiciet e veta politike 3 rrogat e juaja. Për një sjellje të tillë nuk ka pasur, dhe as nuk mund të ketë kurrë përkrahjen e Forcës së Re Demokratike.

Edhe pse gjithë kohën e kemi potencuar këtë problem, Gjeka ka vazhduar me këtë praktikë të shpenzimeve të pabaza të mjeteve të buxhetit.

Kryetari i Komunës, për arsyet e ambicieve të veta politike ka pasur si qëllim miratimin e rebalancit të buxhetit, me qëllim mbulimin e tejkalimeve të cilat mbajnë nënshkrimin e tij. Ai për tre ditë e zvarriti mbjatjen e seancës së Kuvendit Komunal vetëm për të bërë presion mbi këshilltarët me sistemin, o gjithçka o asgjë, edhe pse të gjithë e kishin të qartë se procedura e marrjes së kredisë mund të kryhej ato ditë. Sikur kjo të ndodhte, punëtorëve do tu paguheshin rrogat në këtë vit.

Kryetari Gjeka duhet të repsektojë ligjin, dhe tu bëjë të ditur qytetarëve se ku kanë shkuar paratë e tyre.

Gjeka nuk duhej të priste ditën e fundit të vitit që të sigurojë kredinë, sepse ka pasur 12 muaj në disponim, kurse ka punëtorë që nuk kanë marrë rroga edhe me nga 15 muaj.

E ftojmë Gjekën që të jap dorëheqjen nga funksioni I Kryetarit të Komunës së Ulqinit dhe të hap rrugën e shpenzimeve ligjore të kredisë dhe të mjeteve buxhetore.

 

Të nderuar qytetarë,

Në emër të Forcës dhe në emrin tim personal, ju uroj Vitin e ri 2016, me deshirë dhe shpresë se viti I ardhshëm do të jetë më I mire dhe më i suksesshëm.

 

Kryetari,

Nazif Cungu