Zuberët dhe Valdanosi. Paradokset e një realiteti

1

Ditët e fundit në media është shkruar shumë në lidhje me vendimin e gjykatës i cili familjes Zuber i kthen pronën e dikurshme në Plazh të Vogël. Kjo pronë, e njohur në popull si Kino Bahçja (Kino Basta), ishte nacionalizuar nga sistemi i mëparshëm komunist dhe ishte shëndrruar në kinema për banorët e Ulqinit.

Kthimi ose kompensimi i pronës së tjetërsuar nga shteti nuk përbën asgjë të cuditshme, bile respektimi i të drejtës mbi prona është një ndër kushtet kryesore për hyrjen në familjen e shteteve europiane, dhe si i tillë përbën detyrim për cdo shtet që ta respektojë këtë të drejtë.

Por, problemi qëndron diku tjetër, jo te kthimi i pronës.

Sipas ligjit në fuqi, prona e nacionalizuar për qëllim të caktuar , qoftë edhe e dëmshpërblyer nga shteti, duhet ti kthehet pronarit të mëparshëm nëse ajo nuk është vënë në disponim të këtij qëllimi. Me fjalë tjera, nëse kinemaja nuk është kinema,flasim për rastin konkret, duhet ti kthehet pronarit të mëparshëm. Nuk do të diskutojmë këtu se pse dhe se kush e ka fajin, me këtë le të merren institucionet përkatëse.

Fakti është se në vitin 2006, kur Zuberët kërkonin kthimin e kësaj prone, kjo nuk ishte kinema por klub nate, sic është edhe sot e kësaj dite, dhe gjykata vendosi në bazë të këtij fakti.

Por cfarë lidhje kanë Zuberët me Valdanosin?

Deri në shpalljen e vendimit nga gjykata kurrgjë. Pas shpalljes së këtij vendimi kanë një gjë shumë të përbashkët. As Kino Bahçja, e as pronat e nacionalizuara të familjeve ulqinake në Valdanos, nuk janë në disponim të qëllimit fillestar. Ullishtat në Valdanos u nacionalizuan që aty të ndërtohet bazë ushtarake, gjë që kurrë nuk u realizua.

Tani vijmë tek paradoksi i realitetit tonë. Ashtu si në kryeveprën e Çajupit “14 vjeç dhëndërr”, ligji ndonjëherë është ligj, e ndonjëherë Maliq. Dhe ligji në dorë të Maliqit, për Zuberët është ligj, kurse për shqiptarët është Maliq. Zuberëve prona u kthehet, me vendim sipas ligjit, kurse shqiptarëve nuk u khehet, me vendim të Maliqit.

Do të ishte kuriozitet të shihnim nëse Zuberëve do tu kthehej prona në Valdanos, sikur të kishin, cka nuk do të ishte cudi pasi thonë se kanë pasur gjysmën e Ulqinit, apo edhe ato do të vuanin fatin e pronarëve të tjerë.

Ose a do të kthehej Kino Bahçja nëse pronari do të ishte shqiptar? Po sikur pronarët e Valdanosit të ishin malazez?

Përgjigjen mund ta japë vetëm Maliqi.

 

1 Koment

  1. Zuberet jan shum larg ulqinit kto toka i rregulluan ne katastrin e cetines ne vitin 1920 do te dalin ma Maskarenj si ky zuberi dhe do thojn se kajn toka ke parku ne albatros etj …

Comments are closed.